Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe drejtori i kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger nënshkruan sot projektin e përfunduar për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza në Komunën e Podujevës, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës, përcjell Llapi.info
Sipas njoftimit të Zyrës së Informimit në Podujevë, nënshkrimi i këtij projekti i mundëson Komunës së Podujevës të aplikojë për të ashtuquajturën kredi e butë (Soft-loan), që jepet nga banka austriake.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për komunën tonë, tani kur rrjeti i kanalizimit është shtrirë pothuaj në të gjitha vendbanimet. Realizimi i këtij projekti do të jetë i rëndësisë së veçantë, meqë mundëson grumbullimin e ujërave të zeza nga tërë territori i komunës sonë dhe ruajtjen e ambientit”, ka thënë Veliu, duke falenderuar kompaninë ÖSTAP dhe kompaninë vendore “Ndërtimi”, e cila sipas standardeve të BE-së e hartoi projektin detaj.
Duke pasur parasysh se projekti është realizuar me kohë dhe në mënyrë profesionale, kryetari Veliu u shpreh i bindur se Komuna e Podujevës do të jetë përfituese e kredisë së butë.
Ndërsa, drejtori i kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger, tha se Komuna e Podujevës është e para që e ka përfunduar projektin.
“Në bazë të seriozitetit dhe përkushtimit të treguar në këtë projekt, jam i bindur se Komuna e Podujevës do të jetë përfituese e kredisë, që do t’i mundësojë ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza”, ka thënë Gierlinger.
Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij projekti ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u.d. drejtorit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Avni Fetahu, Milovan Moskoljev, këshilltar në kompaninë OSTAP, Altene Krasniqi, përfaqësues e OSTAP-it për Kosovë dhe përfaqësues të kompanisë vendore “Ndërtimi”./Llapi.info