Ka nisur sot vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, raporton Llapi.info.
Të hënën në këtë qendër janë vaksinuar 11 të moshuar, ndërkohë që ky proces do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Kështu ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama.
“Sot më datë 12.04.2021 ka nisur vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 80-vjeçare në Komunën e Podujevës, të cilët janë ftuar sipas listës që janë lajmëruar për vaksinim. Deri më tani janë vaksinuar 53 persona, 35 prej tyre janë punëtorë shëndetësorë, 7 gardianë të Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Gërdoc dhe 11 të moshuar mbi 80 vjeç”, është shprehur Rama.
Epidemiologia Rama ka shtuar se Podujeva ka pranuar 500 doza të vaksinave AstraZenca. Fillimisht në këtë Komunë kanë arritur 150 doza, e më pas edhe 350 të tjera.
Ndërkohë, gjatë 24-orëve të fundit janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Prej tyre, 7 janë në qytet, 2 raste në Penuhë dhe Kërpimeh dhe me nga një rast në fshatrat; Llapashticë e Epërme, Orllan, Pakashticë e Epërme, Peran dhe Sallabajë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 4 mijë. Deri tash janë raportuar 53 viktima, kurse 3.637 pacientë janë shpallur të shëruar. Aktualisht në këtë Komunë janë aktivë me virusin korona edhe 405 qytetarë./Llapi.info