Qytetarët e Komunës së Podujevës janë duke u ballafaquar me probleme të ngjashme me ato të para 4 vjetëve. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2013, Instituti për Studime të Avancuara GAP në bazë të një vlerësimi që kishte bërë atëkohë kishte evidencuar se problemet kryesore në këtë komunë kanë qenë mungesa e rrjetit të ujësjellësit dhe ujit të pijshëm, mbeturinat, problemet me objektet shkollore, ndotja e lumit dhe vërshimet, mungesa e investimeve në fshatra, objektet banesore pa mirëmbajtje dhe pa infrastrukturë.
Një pjesë e këtyre janë regjistruar edhe në raportin e sivjetmë të këtij instituti, që Qeveria e re duhet të merret me to. Një ndër problemet kryesore është shënuar në sistemin shëndetësor primar. Sipas GAP-it, QKMF-ja e Podujevës qe disa vjet udhëhiqet me ushtrues detyre, shkruan sot Koha Ditore.
“Pos kësaj, QKMF-ja ka mungesë të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore, ndërsa Qendra Emergjente nuk i plotëson kërkesat dhe pritjet. Shumica e laboratorëve të kësaj komune nuk funksionojnë si: laboratori i mjekësisë familjare në Podujevë, laboratori në fshatin Orllan dhe në fshatin Kërpimeh. Ambulanca në fshatin Murgullë ka mungesë të stafit mjekësor dhe për këtë arsye është jashtë funksionit”, thuhet në raportin e Institutit për Studime të Avancuara…