Në Podujevë ka përfunduar me sukses aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, me ç’rast janë ndërmarrë aktivitete të ndryshme.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” në Podujevë ka filluar me vendosjen e 60 kontejnerëve në rrugët e qytetit, për të vazhduar me mbjelljen e luleve në parkun e qytetit dhe pastrimin e hapësirave publike.
Në aksion morën pjesë vullnetarë, zyrtarë të institucioneve komunale, shkollave, kompanive publike dhe shoqërisë civile, të cilët gjatë ditës kanë pastruar hapësira publike dhe kanë larguar dhjetëra deponi ilegale.
Bujar Gimolli, koordinator i iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” për komunën e Podujevës, aksionin e sotëm e ka vlerësuar si të suksesshëm.
“Aksioni i organizuar sot, ka rezultuar i suksesshëm, me vetë faktin se janë pastruar hapësirat përreth shkollave, hapësirat publike si dhe janë pastruar disa deponi ilegale. Përmes këtij aksioni, përveç pastrimit të ambientit, tek qytetarët kemi dashur të përcjellim edhe mesazhin e ruajtjes së tokës”, ka thënë Gimolli.
Pjesë e aksionit ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Podujevës, Hamdi Jaha, i cili e vlerësoi këtë aktivitet si shumë të rëndësishëm për ruajtjen e ambientit.
Ai premtoi se zyrtarët e Inspeksionit do të angazhohen në parandalimin dhe hedhjen e mbeturinave në hapësirat e pastruara.
Kompania “Pastrimi” në Podujevë ka kontribuuar në realizimin e aksionit, duke vënë në dispozicion makinerinë dhe stafin e saj.
Komuna e Podujevës në ditët në vazhdim do të shpallë tender për angazhimin e një kompanie, e cila do t’i largojë të gjitha deponitë ekzistuese ilegale./Llapi.info