Këshilltarët e PDK-së dhe LVV-së janë shprehur kundër mënyrës së ridestinimit të këtyre mjeteve nga qeverisja komunale e Podujevës.

Këshilltari i PDK-së, Flakron Gashi ka pasur shumë vërejtje për ridestinimin e mjeteve nga një projekt në tjetrin. Sipas tij, ka mospërputhje me mjetet e planifikuara për projektet të caktuara dhe ato që janë rialokuar të martën.

“Si është e mundur që në buxhetin për vitin 2015, në kuadër të Drejtorisë se Shëndetësisë është paraparë projekti për ndërtimin e Qendrës së Maternitetit (faza 5A), në vlerë prej 200 mijë euro, ndërsa sipas njoftimit për dhënie të kontratës me numër prokurimi 615-15-051-521, vlera apo kostoja e realizimit të këtij projekti është 80,328.99 €. Ju në këtë dokument ri-alokimi keni paraqitur tepricë mjetesh në vlerë prej vetëm 11 mijë e 226.5€, këtu vërehet një diferencë prej 100 mije €. Ku kanë shkuar këto mjete?”, ka thënë Gashi.

Vërejtje të tilla ka pasur edhe për projekte tjera ku janë ridestinuar mjete.

Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Haki Rudari, ka thënë se rialokimi i mjeteve për çdo vit tregon se ka një keqmenaxhim nga ana e Ekzekutivit komunal.

“Ne mendojmë se duhet të ketë plane më të detajuara që të mos kemi tepricë të mjeteve për projekte dhe po ashtu as mungesë të mjeteve për projekte tjera. Hiqen mjete nga mirëmbajtja e ambientit kur dihet se e kemi një gjendje shumë të keqe edhe në qytet e sidomos në fshatra”, është shprehur ai.

Kurse drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, thotë se në drejtorinë e tij, të gjitha projektet kanë qenë të planifikuara dhe se në projektet ku janë rialokuar mjete asnjë nuk është projekt i ri./Llapi.info

Prop. i Vend. Rialokim Buxhetit 2015 (1)