Me aktivitete të shumta të organizuara nga komuna e Podujevës është shënuar sot dita e dëshmorëve dhe të rënëve në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.

Aktivitetet për nder të Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve kanë filluar në orët e paradites, kur delegacioni nga komuna e Podujevës dhe shoqatat e dala nga lufta kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule tek varret e dëshmorëve dhe të rënëve.

Pjesëmarrës në manifestim ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Rrahman Rama, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, deputetë dhe ministra, zëvendësministra, përfaqësues të shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, ish-luftëtarë, familjarë të dëshmorëve dhe të të rënëve dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se këta përvjetorë, këto akademi përkujtimi e nderimi për dëshmorë e martirë veç akte përultësie ndaj sakrificës ndër breza, për më shumë janë leksione vlerash historie dhe tradite që do ruajtur me kujdes ndër gjenerata.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova e lirë ka qenë ëndërra e këtyrë dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

“Republika e pavarur, shtet sovran dhe demokratik, ka qenë ëndrra dhe ideali i gjithë atyre që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata ranë gjithashtu me synimin se Kosova të jetë një vend i zhvilluar, një vend i vlerave më të përparuara të qytetarisë dhe të kulturës evropian”, ka thënë Mustafa.

Manifestimi për nder të Ditës së Dëshmorëve është përmbyllur me një program të pasur artistik./Llapi.info