Programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) dhe kompania “Albini” në Sfeçël të Podujevës organizuan sot aktivitetin “Dita Fushore e Specit”, transmeton Llapi.info.
Sipas kumtesës komunale, Në emër të kryetarit të Komunës së Podujevës z.Agim Veliu të pranishmit i përshëndeti nënkryetari i Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, i cili u shpreh i lumtur që po merr pjesë në një aktivitet ku promovohet suksesi i fermerëve të fshatit Sfeçël.
“Komuna e Podujevës do të vazhdojë t’i përkrahë dhe subvencionojë fermerët llapjanë, sepse përkrahja e bujqësisë është përkrahje e punësimit të qytetarëve tanë dhe rritje e zhvillimit ekonomik të komunës së Podujevës”, tha Rudari.
Gjithashtu, Rudari falënderoi USAID-in për përkrahjen e vazhdueshme që u ka dhënë fermerëve llapjanë dhe premtoi që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), krahas “Ditës së Mjedrës” dhe “Ditës së Mjaltit”, në komunën e Podujevës do të shënohet edhe “Dita e Specit”.
Ndërsa, Përfaqësuesi i USAID-it, z. Paul Vaca, tha se programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale do të vazhdojë përkrahjen për fermerët llapjanë dhe bashkëpunimin me komunën e Podujevës.
“Falënderoj komunën për mbështetjen që po i jep sektorit të bujqësisë me subvencionimin e fermerëve, gjithashtu i falënderoi edhe për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim me ne, dhe si rezultat i sukseseve në sektorin e bujqësisë, fermerët e komunës së Podujevës do të jenë të parët në Kosovë që do të certifikohet me Standardin e Cilësisë së Produkteve Bujqësore “Global GAP”, tha Vaca
Kurse, Pronari i kompanisë për grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve “Albini”, BekimVokrri tha se do të vazhdojë me avancimin e teknologjisë në kultivimin e specit, sepse falë ndihmës së USAID-it dhe përdorimit të kësaj teknologjie biznesi ynë ka shënuar dyfishim të produktit dhe cilësi të rendimentit.
Në fund të pranishmit kanë vizituar parcelat tradicionale dhe parcelat e punuara me teknologji të re./Llapi.info