Një varg shkeljesh janë paraqitur në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të Komunës së Podujevës për vitin 2014.

Në këtë raport, i cili është publikuar të enjten, thuhet se Komuna e Podujevës kishte paguar punëtorë në kundërshtim me Ligjin për shërbyesit civilë.

Sipas Auditorit, zyrtarët komunalë kishin punësuar punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta, ku ishin identifikuar 14 kontrata që kanë kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj e ndër to kishte edhe kontrata të lidhura që nga viti 2010.

“Sipas Ligjit për shërbyesit civilë, neni 12, pika 4, kontratat për shërbime të veçanta duhet të lidhen për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj. Përsëritja e këtyre kontratave rrit rrezikun që shërbimet e tilla të mos përkojnë me nevojat reale të komunës dhe që buxheti i planifikuar për këtë kategori të mos shpenzohet sipas qëllimit të caktuar”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës.

Janë 15 gjetje që Auditori i Përgjithshëm i ka specifikuar në raportin vjetor për vitin 2014 për këtë komunë./Koha Ditore