Foto: Llapi.info

Një varg kritikash janë dhënë në Kuvendin e Komunës së Podujevës në pikën e rendit të ditës, ku po diskutohej raporti financiar janar-mars 2019, njofton Llapi.info

Sipas këtij raporti, shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-mars 2019 kanë arritur shumën prej 3,541,416. Prej tyre për paga dhe mëditje janë shpenzuar 2,971,373 euro, ndërsa për investime kapitale vetëm rreth 220 mijë euro.

Këtë raport financiar të Komunës për periudhën janar – mars 2019 e ka paraqitur drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

Në bazë të raportit të prezantuar, shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-mars 2019 kanë arritur shumën prej 3,541,416.

“Prej tyre për paga dhe mëditje janë shpenzuar 2,971,373 euro, për mallra dhe shërbime 234, 686 euro, për subvencione e transfere janë shpenzuar 28,740 euro, kurse për investime kapitale janë shpenzuar 219,658 euro”, ka thënë Latifi.

Në tremujorin e parë të këtij viti Komuna ka arkëtuar 537,191 euro të hyra vetanake, prej tyre shuma më e madhe është arkëtuar nga kategoria e tatimit në pronë prej 109,662 euro.

Në lidhje me këtë pikë të rendit, këshilltarja e kuvendit nga radhët e VV-së, Lirika Maliqi, ka potencuar se ky raport për këtë periudhë është, siç e ka quajtur ajo, “shumë i varfër”.

“Këtij raporti i mungon qartësia dhe transparenca për opinionin publik. Ky tremujor edhe në bazë të këtij raportit financiar na tregon për fatin tonë të keq se ky pushtet vazhdon keqqeverisjen. Ashtu si ka filluar, ashtu edhe donë ta përfundojë, e që besojmë fuqishëm që qytetarët kanë për t’ia dhënë fundin këtij pushteti që nuk ka vizion qeverisës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shqetësuese mbetet shpenzimi i buxhetit për investime kapitale, e që sipas Maliqit, vetëm rreth 220 mijë euro janë shpenzuar për këtë kategori nga mbi 6 milionë të planifikuara.

“Shpenzimet janë realizuar vetëm në kategorinë e pagave dhe mallrave, ndërsa në kategorinë e investimeve kapitale realizimi mbetet shumë i ulët, ku janë shpenzuar vetëm 219 mijë e 658 euro nga gjithsej mbi 6 milionë euro. E, kjo i bie se janë shpenzuar vetëm 3.27 për qind e buxhetit të dedikuar për investime kapitale. Ky tremujor duhet të shërbejë për hartimin e projekteve, inicimin e procedurave e prokurimit dhe lidhjen e kontratave me operatorët ekonomikë. Me këtë trend, në fund suficiti do të jetë i pashmangshëm, që tashmë është bërë një traditë e këtij pushteti”, ka thënë ajo, teksa ka kërkuar që të raportohet për çdo projekt që nis.

Se që është bërë dhe shpenzuar pak e kanë thënë edhe këshilltarë në Kuvendin Komunal nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Tashmë shefi i ri i këtij grupi parlamentar, Fatmir Rudari ka theksuar se edhe vitin paraprak ka pasur tepricë të buxhetit, e kjo sipas tij, për shkak të menaxhimit të dobët.

“Ky raport nëse bëhet krahasimi po del të jetë i njëjtë me vitin paraprak në këtë periudhë. Vërejtje kam te investimet kapitale, buxhet për këtë kategori që nuk po arrin të shpenzohet asnjëherë në tërësi. Në vitin 2018 për 9 muaj ishte shpenzuar 30 për qind, e kjo do të thotë se pjesa më e madhe ishte shpenzuar në tre muajt e fundit, tetor, nëntor dhe dhjetor, duke mos llogaritur pjesën e buxhetit që kishte tepruar në mungesë projekteve dhe menaxhimit të dobët të ekzekutivit. Me këtë ritëm që ka filluar kjo gjë do të ndodhë edhe këtë vit, ku për tremujorin e parë për vitin 2019 për investime kapitale është investuar vetëm rreth 4 për qind dhe kështu do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe do të kemi prapë suficit buxhetor”, është shprehur Rudari.

Ndryshe, edhe vitin e kaluar (2018), ekzekutivit i është drejtuar gishti për investime të ulëta kapitale, ku për 9 muaj të vitit 2018 janë shpenzuar vetëm 1 milion e 859 mijë euro nga 6 milionë e 489 mijë sosh të planifikuara për këtë kategori, apo shprehur në përqindje 28.66%./Llapi.info