Qytetarëve të Podujevës, e sidomos fëmijëve, çdo ditë u kanoset rreziku nga qentë endacakë që kanë vërshuar rrugët e parqet e këtij qyteti.
Grupe qensh shëtisin lirshëm nëpër çdo cep të qytetit, të cilët shpesh u vërsulen kalimtarëve. Të tillë shihen shpesh edhe afër çerdhes së qytetit, shkruan sot Koha Ditore transmeton Llapi.info.
Prindërit thonë se, megjithëse fëmijët çdoherë i shoqërojnë, sipas tyre, përpos rrezikut. ata mund të pësojnë trauma nga frika prej këtyre qenve.
Në kushte anonimiteti ata kanë kërkuar që organet përgjegjëse të merren me këta qen para se të ndodhë ndonjë fatkeqësi.
“Shumë rrezik prej tyre. Këta vijnë grumbull dhe tash koha e ftohtë janë edhe më të rrezikshëm. Përveç që na kanoset rreziku prej tyre, fëmijët mund të na pësojnë trauma për tërë jetën, pasi ata çdo ditë sillen edhe afër çerdhes. Institucionet përgjegjëse duhet të merren me këta qen, pasi një ditë mund të bëhet vonë”, ka thënë ky prind.
Këtë shqetësim e ka ngritur edhe togerja Valbona Blakçori në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Ajo ka thënë se qytetarët e Komunës së Podujevës përballen me rrezikun nga prania e madhe e qenve endacakë./Llapi.info