Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës e ka vlerësuar gjendjen e sigurisë të qetë, me rënie të vazhdueshme të rasteve kriminale, të raportuara.

Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të mbajtur sot, e cila u kryesua nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është analizuar gjendja e sigurisë dhe është miratuar Plani i Punës të KKSB për vitin 2015.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, majori Isak Ejupi, e ka vlerësuar gjendjen e sigurisë të qetë dhe stabile për periudhën raportuese janar-shkurt 2015.

Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, majori Ejupi tha se në bazë të statistikave ka rënie të theksuar të rasteve kriminale në komunën e Podujevës.

Komandanti i Stacionit të Policisë, tha se në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë do të ndihmojnë edhe Komitetet Lokale për Siguri Publike, të themeluara gjatë muajit të kaluar në Orllan dhe Kërpimeh.

Ai paralajmëroi se Policia e Kosovës së shpejti do të fillojë me Planin Operacional “Vera 2015”, që do të ketë për qëllim zvogëlimin e rasteve kriminale, me theks të veçantë në parandalimin e të shtënave me armë nëpër ahengje, të cilat paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

Edhe përfaqësuesi i KFOR-it e ka vlerësuar gjendjen e sigurisë në Komunë e Podujevës të qetë dhe stabile. Ai ka përcjellur shqetësimet e drejtorëve të shkollave, që ka vizituar, për rrezikun që paraqesin qentë endacakë për nxënësit.

Kryetari Veliu shprehu kënaqësinë që gjendja e sigurisë në komunë vazhdimisht është duke u përmirësuar.

“Sigurisht se gjendja e mirë e sigurisë dhe rënia e rasteve kriminale është një fakt që na gëzon të gjithëve. Kjo është rezultat i angazhimit të organeve të sigurisë, Policisë dhe KFOR-it, si dhe bashkëpunimit të tyre me Komunën”, tha kryetari Veliu.

Duke potencuar çështjen e rrezikut që paraqesin qentë endacakë, kryetari Veliu tha se Komuna është në kërkim të një zgjidhjeje për këtë problem.

Ndërsa, Faik Muçiqi – drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, në emër të komisionit, prezantoi Planin e Punës së KKSB për vitin 2015. I njëjti u miratua nga ky organ dhe do të procedohet për miratim në Kuvendin e Komunës. Në këtë takim gjithashtu u prezantua informata për aktivitetet të KKSB gjatë vitit 2014.