Reshjet e mëdha të shiut që përfshinë pjesë të ndryshme të komunës së Podujevës, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në plantacionet dhe të mbjellat e fermerëve llapjanë, thuhet në komunikatën e komunës, transmeton Llapi.info.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka autorizuar Drejtorinë e Bujqësisë dhe Komisionin për vlerësimin dhe e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, që të dalin në teren për t’i vlerësuar dhe evidentuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit.

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, së bashku me anëtarët e Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, kanë vizituar disa plantacione të fermerëve llapjanë, për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshëri, që ditëve të fundit përfshinë disa fshatra të Podujevës.

Gjatë vizitës që iu bë fermerëve të fshatit Gllamnik, drejtori Januzi premtoi që raportin e plotë të komisionit do ta dërgojë në të gjitha instancat përkatëse dhe do ta shfrytëzohet çdo mundësi për të kërkuar kompensimin e dëmeve, të cilat u janë shkaktuar fermerëve llapjanë./Llapi.info