Sot janë bërë 22 vjet nga rënia e dëshmorëve Elfir Behrami, Bedri e Eset Maloku dhe “Betejës për Shpëtim” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Elfiri ra dëshmor gjatë luftimeve me armikun më 29 prill të vitit 1999, në frontin e luftës në pjesën veriperëndimore të Llapit, afër Gurit të Bardhë në kodrën e Kaçandollit, aty ku lidhet Llapi me Shalën. Për nder të veprës së dëshmorit të kombit, Elfirit, në këtë vend është ngritur edhe lapidari, derisa edhe shkolla e fshatit të vendlindjes në Metehi mbanë emrin e tij.
Kurse, Bedriu bashkë me djalin e axhës Esetin, ranë në mbrojtje të popullatës civile më 29 prill 1999 tek vendi i quajtur “Livadhi i madh” te pishat e Bradashit. Në këtë betejë ishin plagosur edhe rreth 20 luftëtarë.
Fillimisht Bedriu bashkë me djalin e axhës pas rënies ishin varrosur afër vendit ku fituan pavdekësinë, ndërsa rivarrimi i tyre është bërë me nderime ushtarake dhe pjesëmarrje të shumë qytetarëve të Llapit e më gjerë më 27 korrik 1999 në varrezat e fshatit Bradash.
Bedri e Eset Maloku kanë marrë pjesë në shumë beteja të zhvilluara në Zonën Operative të Llapit (ZOLL). Luftëtarët e lirisë luftuan heroikisht për disa ditë rresht duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha në njerëz dhe makineri luftarake./Llapi.info