Janë bërë 22 vjet nga masakra në familjen Sejdiu, ku forcat paramilitare serbe masakruan shtatë anëtarë të familjes Sejdiu në fshatin Shamalluk të Podujevës, raporton Llapi.info.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, anëtarë të ekzekutivit komunal dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë homazhe pranë varreve të anëtarëve të familjes Sejdiu.
Në një postim në Facebook, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se 22 vjet më parë u vranë katër vëllezërit Sejdiu dhe nëna e tyre 63 vjeçe dhe dy mysafirë që gjendeshin atë ditë në këtë familje.
“Në 22-vjetorin e masakrës mbi familjen Sejdiu në Shamalluk, sot bashkë me anëtarë të ekzekutivit të Komunës dhe deputetë, bëmë homazhe dhe vendosën lule tek varret e shtatë martirëve, të vrarë nga ushtria dhe paramilitarët serbë.Në ditën e 15 prillit 1999, forca të shumta ushtarake kishin rrethuar shtëpinë e familjes Sejdiu, ku vranë katër vëllezërit Sejdiu dhe nëna e tyre 63 vjeçe dhe dy mysafirë që gjendeshin atë ditë në këtë familje. Dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e vendit janë treguesi i qëndresës dhe sakrificës për lirinë e vendit. Ne sot përulemi para veprës dhe gjakut të tyre të derdhur për liri”, ka shkruar ai./Llapi.info