Prej 338 aplikuesëve nga sa ishin gjithsej në konkursin për përfitimin e shoqërive të bletëve në Komunën e Podujevës, 100 prej tyre janë përzgjedhur si përfitues me nga 5 shoqëri bletësh nga komisioni vlerësues, njofton Llapi.info.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, përfitues të këtij subvencioni kanë qenë kryesisht fermerët fillestarë.

“Ne si drejtori ndjekim politika komplementare ku përmes këtyre politikave me qenë përfitues edhe ata njerëz që nuk kanë pasur bletë më parë. Komisioni e ka bërë vlerësimin real, është mundu me ju dhënë prioritet edhe njerëzve fillestarë që dëshirojnë me u merr me bletë” tha Fetahu për Llapi.info.

Sipas Fetahut, shpërndarja e bletëve veç se ka filluar dhe se deri të shtunën do të bëhet e gjithë shpërndarja e tyre.
“Çdo ditë janë shpërndarë nga 5 shoqëri bletësh për 20 përfitues. Sot është dita e tretë e shpërndarjes dhe kështu do të vazhdojë edhe për dy ditë tjera”, tha ai.

Përveç kësaj, Fetahu tha se origjina e këtyre shoqërive bletësh është nga Kosova dhe se të gjitha këto bletë janë në gjendje të mirë shëndetësore
“Origjina e këtyre bletëve është nga Kosova. Para se të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese, që është nga Qyteti i Vushtrrisë, është shikuar gjendja shëndetësore e bletëve, gjithashtu edhe pas nënshkrimit të kontratës dhe është vlerësuar se bletët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjendja shëndetësore e bletëve kontrollohet edhe një herë para se ti dorëzohet përfituesit” shtoi më tutje Fetahu.

Që nga kjo e shtunë këta përfitues do të ndjekin një trajnim 48-orësh të organizuar nga DBPZHR e Komunës së Podujevës në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarisë “Llapi” në mënyrë që edhe ata fermerë që nuk kanë pasur bletë më herët të mësojnë se si të kujdesën për to.

Këto janë listat e përfitueseve të bletëve:fq1fq2