Rastet e dhunës në familje kosovare nuk po kanë të ndaluar. Në shumicën prej tyre viktima janë gratë e vajzat, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike nga anëtarët e familjes. Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në një shtëpi në rrugën “Skënderbeu”, në Podujevë.
Siç merr vesh Sinjali, për motive ende të panjohura një burrë ka rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Burimet brenda QKUK-së, kanë bërë të ditur se vajza është dërguar në këtë qendër dhe është në gjendje të rëndë për shkak të lëndimeve që ka pësuar në sy si pasojë e sulmit me fshesë elektrike nga babai.
Policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin dhe ka intervistuar edhe bashkëshorten e tij, për të kuptuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.