Natën e Vitit të Ri janë raportuar tri raste të dhunës në familje. Në të tri rastet të dyshuarit janë meshkuj ndërsa viktimat janë bashkëshortet e tyre, ndërsa në Podujevë viktima të dhunës janë edhe dy fëmijë të të dyshuarit, njofton LLapi.info.
Sipas Policisë, i dyshuari në Podujevë ka sulmuar fizikisht gruan dhe dy fëmijët. Ai është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër raportohet të ketë ndodhur në Pejë ku sipas Policisë i dyshuari ka shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij e cila ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në spitalin rajonal të Pejës. I dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa viktima me vetë dëshirë dërgohet në strehimore.
Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur të njëjtën natë në Gjakovë pasi që dyshohet se bashkëshorti në gjendje të dehur ka sulmuar bashkëshorten e tij.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje./Llapi.info