Dy qytetarë nga Komuna e Podujevës janë arrestuar gjatë së shtunës nga Policia e Serbisë, raporton Llapi.info.

Të arrestuarit janë Blerim Maqastena dhe Betim Mexhuani, të dy nga fshati Dumosh, gjersa Maqastena është këshilltar komunal nga radhët e PSD-së.

Pas arrestimit të Maqastenës ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të angazhohen maksimalisht që ata të kthehen sa më parë në Kosovë.

“Me shqetësim morëm lajmin që dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Blerim Maqastena (asambleist dhe aktivist i PSD-së në Podujevë) dhe Berat Megjuani janë arrestuar dhe paraburgosur në Serbi. Blerimi dhe Berati po mbahen tash e 2 ditë në paraburgim në Serbi. Kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde. Blerimi dhe Berati është dashur të lirohen menjëherë me një procedurë normale. Arroganca e autoriteteve të Serbisë është e papranueshme.

Sipas informatave që kemi, Blerimi dhe Berati për shkak të mjegullës së madhe kishin humbur rrugën duke ecur në zonën kufitare me Serbinë, dhe gabimisht janë futur në territorin e Serbisë. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, të cilët janë vënë në kontakt me autoritetet serbe nga të cilat pastaj janë ndaluar.

Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që Blerimi dhe Berati të kthehen sa më parë në Kosovë. Duke parë natyrën e rastit, vonesat në trajtimin dhe lirimin e tyre janë të panevojshme dhe të papranueshm”, thuhet në reagimin e Molliqajt.

Ndryshe, ndaj arrestimit të tyre ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe këshilltarë tjerë komunalë./Llapi.info