Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht, të akuzuarin për veprën penale “kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare, apo i vijës kufitare”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Minir Hoti, dënimi ndaj të lartpërmendurit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Rrahim Podvorica, D.R akuzohet se në tetor të vitit të kaluar, në mënyrë të kundërligjshme e ka kaluar kufirin e Republikës së Kosovës afër Merdarit, në Komunën e Podujevës, duke u futur në territorin e Kosovës, e duke qëndruar ilegalisht që nga ajo kohë e deri më tani.
Lidhur me këtë akuzë, në shkresat e lëndës të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktgjykimi për këtë rast është shpallur me 27 prill 2020, pasi Rastiq, i cili përfaqësohej nga avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Hasan Përvetica, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
I njëjti ka deklaruar se tre muaj ka qëndruar në Mitrovicë dhe më pas në Graqanicë.
Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori i cili e ka përfaqësuar akuzën, Ali Ajdini, më ç’rast i njëjti kishte hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të akuzuarit.
Tutje, në shkresat e lëndës thuhet se Rastiq është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale për shkak të gjendjes së pafavorshme ekonomike, si dhe është dëbuar nga territori i Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi