Edukatores së shkollës “Sheqë Mirofci” në Shtedim, Ilire Balajt, dje i është kumtuar lajmi se më nuk është edukatore e kësaj shkolle. Këtë ia ka bërë të ditur drejtori i kësaj shkolle, Blerim Latifi, përmes telefonit, shkruan Llapi.info.

Balajt i është thënë se arsyeja e largimi të saj nga vendi i punës është se nuk e ka kualifikimin adekuat për pozitën përkatëse. Mirëpo, sipas saj ky arsyetim nuk qëndron pasi që ajo është Baçelor i Edukimit Parafillor në Universitetin AAB në Prishtinë që nga viti 2012.

“Mbrëmë drejtori i shkollës më ka telefonuar dhe më ka thënë që jam e pushuar nga puna. Kur unë i kërkova arsyen ai më tha se nuk kam kualifikimin adekuat. Mirëpo, unë jam e kualifikuar në drejtimin përkatës, në tetor do ta mbroj temën e diplomimit për rikualifikim në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në UP, kam licencën e mësimdhënësit deri në vitin 2018, kam rreth 780 orë trajnime, këto i dinë edhe Drejtoria e Arsimit”- tha Balaj për Llapi.info.

Ndërsa, Drejtori i Shkollës, Blerim Latifi tha se ajo që më është thënë mua përmes telefonit atë edhe ia kam përcjellur edukatores në fjalë.

“Drejtori i DKA-së më ka njoftuar përmes telefonit që ta njoftoj mësuesen Ilire që i është ndërpre kontrata e punës. Andaj, unë nuk jam kompetent me fol për ndërprerje të kontratës me mësimdhënës.” tha Latifi.

Kurse, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, tha se në bazë të udhëzimit të ri administrativ i cili e rrit raportin nxënës- edukatore që ka qenë prej 12 e ka bërë 18-20 nxënës automatikisht një mësuese- edukatore, për të plotësuar normën duhet t’i ketë së paku dy grupe, gjë që s’ka qenë deri tash.

“Rasti i Balajt është rast specifik.Ajo e ka një grup nuk e ka kualifikimin përkatës tash jam detyrue një që e ka kualifikimin përkatës, në këtë rast mësuesja- edukatore që është në Buricë në mënyrë automatike me ja ba edhe atë grup, d.m.th ajo e ka grupin në Buricë, grupin në Shtedim për me nxanë vendin e punës, mirëpo përparësi kanë të gjitha ato që kanë kualifikime përkatëse. Nuk do të thotë që ajo është metë krejt pa punë, na jemi në shqyrtim po na nihere duhet me jau plotësu këtyre të cilat në bazë të udhëzimit janë përkatëse e nëse tash mbet ndonjë grup pa edukatore ne i emërtojme ato që jon kanë nuk është najfar problemi” tha Maloku për Llapi.info.

Mirëpo, Balaj nuk beson se këto janë arsyet e largimit të saj. Sipas saj arsyet janë politike.

“Besoj që shkaqet e largimit tim janë politike, pasi që vëllai im është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë dhe angazhimit të vëllait kundër qeverisjes së Agim Veliut.”- u shpreh ajo.

Për largimin e Balajt nga vendi i punës, kundër janë deklaruar prindërit e nxënësve të saj. Sipas tyre këta nxënës nuk mund të kenë mësuese më të mirë.

“Unë jetoj në Podujevë, vajza ime vijon shkollimin në klasën e katërt në Podujevë, ndërsa djalin e kam regjistruar në klasën e mësueses Ilire në Shtedim vetëm për shkak të mësueses” tha nëna e një nxënësi për Llapi.info.

Përveç saj, kundër janë shprehur edhe prindërit e nxënësve të cilët më parë kanë qenë pjesë e klasës së Balajt.

“Nuk po besoj që ka me pas mësuese ma të mirë në këtë shkollë sesa mësuesja Ilire. Une djalin e kom pas vjet në këtë shkollë edhe jam nda tepër i kënaqur me të. Përpos aktiviteteve në shkollë ajo ka pas raste kur me shpenzime të saj ka kryer edhe aktivitete tjera jashtë shkollës. Si shembull po e përmendi vizitën që fëmijët e kanë bërë në aeroportin e Prishtinës, shpenzimet e transportit i ka paguar vet mësuesja” tha njëri nga këta prindër.

Fat të njëjtë me Balajn ka pasur edhe edukatorja Safete Selmani nga shkolla fillore “Esat Mekuli” në fshatin Dobratin. Edhe ajo dje është informuar se më nuk është pjesë e stafit të kësaj shkolle. Selmani ka diplomuar në vitin 2015 në AAB në drejtimin “Kujdesi dhe Mirëqenia e Fëmijëve”si dhe ka të përfunduar Sociologjinë në Universitetin e Prishtinës.

Që të dy edukatoret kanë shprehur paknaqësinë që nuk janë informuar së paku dy javë më herët siç e parasheh edhe ligji. Për largimin e tyre nga puna nuk ka vendim zyrtarë të shkruar. Ndërsa, edhe pse Balajt i është thënë që ta liroj atë vend të punës ajo është e vendosur se nuk do ta bëjë këtë./Llapi.info

2
3
4
5
6