Me 250 është gjobitur kryetari i Sindikatës së Qendrës Kryesore Familjare të Podujevës (QKMF), Sheqir Maliqi, pasi i njëjti ka organizuar protestën e mjekëve kundër suspendimit dhe ndalimit të pulmologut të QKMF-së, Ibrahim Hoti, raporton Llapi.info.
Maliqi është gjobitur nga Policia e Podujevës me 50 euro dhe Inspekorati sanitar për organizimin e protestës me 200 euro, teksa në gjobën e shqiptuar përmenden mbi 50 persona të kenë marrë pjesë në protestën, duke thyer kështu vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e organizimeve me më shumë se 10 qytetarë.
“Gjatë inspektimit në bashkëpunim me inspekorët komunalë dhe Policinë e Kosovës kemi konstatuar se personi i lartcekur ka organizuar aktivitet të ndaluar, ka organizuar protestë si shenjë pakënaqësie për suspendimin e kolegut të tyre, ku kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona, me ç’rast ka shkelur vendimin e Qeverisë 01/05 pika 21, e cila pikë ndalon të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit COVID-19 me më shumë se 10 persona”, thuhet përshkrimin e kundërvajtjes drejtuar Maliqit.
Ndryshe, pulmologu, Ibrahim Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar ashpër nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës./Llapi.info