Këshilltari i Kuvendit të Komunës së Podujevës, Blerim Maçastena, i cili gjendet në paraburgim në Prokuple të Serbisë, i është drejtuar sot me një letër asamblesë komunale, raporton Llapi.info.
Maçastena duke falënderuar të gjithë këshilltarët komunalë, ka thënë se autoritetet e burgut atje, siç ka thënë ai, kanë qasje të korrekte ndaj tij.
Maçastena ka shtuar se gjatë muajit janar, siç citohet në letrën e tij, është vizituar nga familjarët, derisa ka thënë se vizitohet rregullisht edhe nga ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
“Më 06.01.2021, më vizituan familjarët. Ndër të tjera, ata më njoftuan që Kuvendi Komunal sot nga ora 10:00 mbanë mbledhje të jashtëzakonshme për rastin tënd dhe jemi të thirrur si familje të marrim pjesë. Ndjenjë e pa përshkruar krenarie. Falë shokëve në fund të muajit mars i sigurova procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit Komunal (edhe pse kaluan 5 ditë në kontroll të Gjykatës). Me kënaqësi i lexova fjalimet e secilit prej jush. I dëgjova përshëndetjet dhe urimet e juaja. E vërejta përkushtimin e pashoq të secilit prej juve. I ndjeva emocionet e fjalimeve të shokëve dhe shoqeve për shokun e tyre. E di që rasti im i ka prekur ndjenjat e shumë qytetarëve anë e mbanë vendit, sidomos të atyre që i njoh dhe më njohin. Jam ndier shumë keq në fillim, po ndihem edhe tani, ju kërkoj falje të gjithëve. Me dhjetëra mesazhe inkurajuese më vijnë çdo javë nga dashamirë të shumë, edhe pse jam larg vendit tim, kurrë nuk jam i vetëm. Deri tani autoritetet e burgut kanë një qasje korrekte ndaj meje. Me shëndet jam mirë, e di që këto dy gjëra ju interesojnë më së shumti. Familjarët më vizitojnë rregullisht njëherë në javë, gjithashtu edhe ambasadori i Kosovës në Beograd z.Jetish Jashari, i cili më viziton një herë në muaj. Të dy palët më informojnë për zhvillimet në vend. Të dashur shokë e shoqe, nga ju dua ndershmëri në punë, punë të mira për Komunën dhe përkushtim për vendin, ju dëshiroj shëndet e të gjitha të mirat në jetë. Kurse shokut tuaj i mbetet të qëndrojë ashtu si i ka hije, ashtu siç është edukuar nga familja dhe shoqëria”, ka shkruar Blerim Maçastena në letrën e tij, e që të cilën e ka lexuar sot në Kuvendin e Podujevës, këshilltari i LDK-së, Qendrim Softolli.
Ndryshe, dy qytetarë nga Podujeva janë arrestuar nga Policia serbe, të cilët dyshohet se kanë dalë në territorin e Serbisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Njëri më pas është liruar, ndërkohë që Maçastena vazhdon të jetë në paraburgim. Për këtë rast, autoritetet kosovare kanë kërkuar menjëherë lirimin e Maçastenës./Llapi.info