Kompania “Pastrimi” në komunën e Podujevës ka përfituar më shumë se 2 milion euro nga shfrytëzimi i tokës shtetërore si pronë të tyre si dhe përfitimi nga TVSH e tatimi në fitim sipas Raportit të Auditorit të Përgjithshëm. Këto janë disa nga shkeljet kryesore të kompanisë Regjionale të Mbeturinave Pastrimi në Komunën e Podujevës shkruan Llapi.info.
Rreth 5 milion e 700 mijë euro neto të kësaj kompanie ku janë të paraqitura, prona, impiantet si dhe pajisje tjera si pasqyrë financiare, toka të cilën kjo kompani e shfrytëzon nuk është e saj.
“Siç është paraqitur në shënimin e 10 të pasqyrave financiare , prona, impiantet dhe pajisjet janë paraqitur me vlerën neto në libra 5, 654, 281 euro . Pjesë përbërëse e këtyre pasurive është toka e cila shfrytëzohet nga ndërmarrja, mirëpo nuk është në pronësi të saj” thuhet në këtë raport.
Ndërsa, pikat tjera në të cilat ky raport ka gjetur shkelje tek kjo kompani është pika e 12 që ka të bëj me TVSH-në si dhe pika 13 që ka të bëj me tatimin në fitim. Shuma e përfituar sipas këtyre të gjeturave është rreth 2 milion e gjysmë euro.
“Në shënimin e 12, TVSH e pagueshme gjithsej është paraqitur në vlerë prej 2, 412 547 euro. Kjo shumë përmban TVSH – në e pagueshme të grumbulluara nga faturimi viteve të mëparshme, mirëpo të painkasuara. Gjithashtu në shënimin e 13 të pasqyrave financiare tatimi në fitim i pagueshëm është në vlerë prej 2, 538, 630 euro. Si shumë e bartur nga vitet e mëhershme”, përfundon ky raport, transmeton Llapi.info.
E lidhur me këto shkelje, partitë opozitare në Komunën e Podujevës shumën e përfituar nga kjo kompani e kanë quajtur si shumë marramendëse.
Përfaqësuesi i këshilltarëve të PDK- së në Komunën e Podujevës Rafet Llapashtica tha se këto çështje të cilat raporti i përgjithshëm i ka gjetur janë mjaftë serioze prej të cilave mund të nxirret edhe kallxim penal ndaj kësaj kompanie.
“Pra neve Raporti i Auditimit na jep material për me ngritë kallxim penal sepse është veprim i shkeljes penale. Secili zyrtarë ka të drejtë të ngritë një kallxim penal ndaj kompanisë. Është raport i kualifikuar. Çështja e pikës së 12- të te pagesa e TVSH- së dhe tatimit në fitim janë shuma marramendëse, përmbi 2 milion euro. Kjo e vështirëson Komunën e Podujevës edhe 7 komunat tjera që janë në garë për komunën më të patër në Kosovë meni kompani të tillë” tha Llapashtica duke shtuar se ajo që ne na intereson është edhe respektimi i kontratave të punëtorëve.
Lidhur me këtë çështje edhe shefi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari tha se kjo kompani nuk është duke i kryer punët për të cilat edhe është ngarkuar duke kritikuar udhëheqësit komunal se raporti financiar i kësaj kompanie është shumë i vonuar.
“Për herë të parë kemi një raport nga kjo ndërmarrje regjionale, nga kjo kompani. Është një raport shumë i vonuar është dashur që kësi lloj raporte të kemi vazhdimisht dhe çdo vit dhe si i tillë që na ka ardhë u tha nga shumica ka gjëra negative të cilat edhe e kanë marrë këtë epitet të opinioneve”, tha Rudari duke shtuar se “nuk është në rregull që një kompani të shkoj në një vend të caktuar dhe në vend që ti hjek mbeturinat nga aty ata veç e hedhin edhe më tutje. Ku po e gjun? Po e gjuaj në lumin Llap. Qytetarët gjithnjë shohin kontejnerë të mbushur me bërllok dhe ata detyrohen ti gjunjë poshtë se s’kanë ku dhe kjo është një përgjegjësi që duhet ti adresohet kompanisë në fjalë”, tha Rudari.
Mirëpo, këto çështje të ngritura nga Auditori i Përgjithshëm, Gazmend Rexhepi shef i financave të Kompanisë Regjionale Pastrimi, këto shkelje i ka quajtur si objektive për kompaninë, pasiqë sipas tij Komuna është ajo e cila bartë shfrytëzimin e tokës në emër të kompanisë.
“Në këtë rast janë dy çështje shumë objektive për kompaninë. E para është e paraqitur rreth pasurisë së tokës që nuk është në pronësi të kompanisë por që është duke e shfrytëzuar kompania. Kjo çështje u takon secilës komunë jo vetëm të Podujevës por cilat komuna duhet të ndërmarrin një hap dhe të bartin shfrytëzimin e tokës në emër të kompanisë. D.m.th është përgjegjësi e kuvendeve komunale. Çështja e dytë ka të bëjë me detyrime tatimore, në këtë rast është TVSH-ja ku për periudhën e vitit 2000-2002 kompania ka kriju një obligim e cila është kriju në bazë të obligimit ku kompania ka arritur të bëj inkasimin e mjeteve” tha Rexhepi duke shtuar se edhe kompanitë publike në këtë rast janë duke u diskriminuar duke u shlyer borxhet qytetarëve që janë obligues ndaj tyre ndërsa kompanive asnjë borxh i vetëm.
Sipas partive opozitare nëse Komuna e Podujevës dëshiron që të jetë në garë në mesin e komunave më të pastra në Kosovë duhet që kjo e fundit të ndërmarr masa ndaj saj pasi që përveç këtyre shkeljeve kjo kompani nuk është duke e mbuluar as 30% të territorit komunal./Llapi.info