16 raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Podujevë, pas testimeve të 64 mostrave të bëra në këtë rajon, raporton Llapi.info.

Përkundër këtyre rezultateve, numri i të infektuarve nuk po konsiderohet i madh nga punonjësit shëndetësorë, pasi testimet kanë qenë më në masë.

16 rastet kanë dalë nga testimet e bëra ditë më parë, kurse të njëjtat janë me burime të reja dhe s’i përkasin familjeve të infektuara më parë.

Për gjendjen me virusin korona në këtë komunë ka folur për Llapi.info epidemiologia dhe koordinatorja e shtabit emergjent në Podujevë, Bedrie Rama.

Duke bërë të ditura vendbanimet e të infektuarve, Rama ka theksuar se numri i personave aktivë me virusin korona në Podujevë ka arritur në 67.

“Janë konfirmuar sot 16 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Duket pak numër më i madh, mirëpo duke e krahasuar numrin e testimeve s’mund të themi që është numër më i madh se tjera ditë, për arsye se janë testuar 64 qytetarë. Rastet e reja ka prej fshatrave si: Lluzhan, Siboc, Dumnicë dhe Llapashticë, por shumica janë nga qyteti. Ka ende të tjerë që jemi duke ua zbuluar adresat dhe jemi duke mbledhur më shumë informacione. Me këto të sodit, tani i kemi 67 raste aktive në Komunën e Podujevës. Sipas informatave që kam, shtatë pacientë i kemi në Klinikën Infektive. Burimet e infeksionit janë të gjitha të reja, ka që janë infektuar në vendin e punës dhe të tjerë që dyshohet se janë infektuar rrugëve, parqeve apo kafiterive”, ka thënë Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, në mesin e muajit mars, deri më 16 korrik numri i viktimave në Podujevë ka shkuar në gjashtë. Rama ka thënë se edhe rreth 50 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK.

“Deri më tani i kemi gjashtë raste me fatalitet në këtë rajon. Jemi në pritje të rezultateve të mostrave që janë testuar tri ditët e fundit të rreth 50 qytetarëve, kurse sot i kemi testuar 20 persona. Testimet u bëhen atyre që kanë simptoma mesatare dhe atyre më të lehta. Kontaktojmë vazhdimisht me të infektuarit, ka me sëmundje të lehta, por edhe me simptoma të theksuara. Numri i të infektuarve pritet të rritet, po jo edhe shumë. Falënderoj qytetarët që po u përmbahen rekomandimeve dhe njëkohësisht apeloj që t’i vazhdojnë zbatimet të masave mbrojtëse. Vizitat familjare të ketë sa më pak, sepse më së shumti raste që kemi marrë në bazë të hulumtimit, shumica kanë dalë me lidhje familjare dhe vizita shtëpiake”, ka thënë epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama.         

Rasti i parë në Podujevë me COVID-19 ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga kjo komunë.

Ndërkohë, në Kosovë janë regjistruar edhe 103 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus. Kështu është thënë sot në një konferencë të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Të dhënat i referohen testimit të 459 mostrave më 16 korrik, me metodën RT-PCR.

Sipas këtyre të dhënave, numri i viktimave ka shkuar në 124, gjersa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5.472. Ndërkaq, 95 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i të shëruarve të arrijë në 2.640. Raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.708./Llapi.info