Me lavdata nga pozita dhe kritika nga opozita është përcjellur sot Raporti i Zyrës së Auditimit të Përgjithshëm për komunën e Podujevës.
Isuf Latifi, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, në komunën e Podujevës, në mbledhjen e kuvendit komunal të Podujevës të mbajtur sot, ka paraqitur Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm përpara këshilltarëve komunalë të komunës së Podujevës.
Latifi gjatë prezantimit të këtij raporti ka thënë se ndihet i kënaqur me opinionin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për komunën e Podujevës.
“Jam i kënaqur me opinionin e dhënë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, duke theksuar që nëse komuna merr opinion të pakualifikuar ose të pamodifikuar, tatimpaguesit mund të jenë të kënaqur sepse taksat e tyre po paraqiten në mënyrë të rregullt”, ka thënë Latifi.
Lidhur me këtë raport pati kritika të ashpra nga ana e opozitës, derisa pozita e sheh si një raport real dhe pozitiv, raport ky që tregon punën e komunës së Podujevës.
Fidan Rekaliu, nga grupi i LDK-së tha se këtë raport e vlersëson si raport real për komunën e Podujevës dhe kërkoi nga ekzekutivi të merren pasarsysh rekomandimet e Zyrës së Auditimit.
Në anën tjetër, Rafat Llapashtica, këshilltar nga rradhët e PDK-së, ka thënë se vërejtjet në Raportin e Auditimit janë të njëjta vërejtje që kanë qenë në vitin 2013, e të cilat kanë qenë si obligim të përmbushen në vitin 2015. Ai përmendi faktin se borxhi i komunës së Podujevës është rritur për 17 për qind.
Ndërsa, Haki Rudari, nga LVV, përmendi çështjet që kishin të bëjnë me shkelje të ligjit, shkelje këto të idenfikuara në Raportin e Auditimit.
I pakënaqur me Raportin e Zyrës së Auditimit ishte edhe Lutfi Rexhepi, shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së, në Podujevë.
Poashtu, opozita kritikoi edhe mosprezencën në mbledhje të Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliut, pasi sipas tyre shumë rekomandime që dalin nga ky raport i drejtohen kryetarit së bashku me ekzekutivin.
Opozitës i’u përgjigj Nexhmi Rudari, Nënkryetar i Komunës së Podujevës, duke thënë se Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, nuk mund të ndryshojë dhe sulmet e opozitës janë më shumë çështje retorike sesa çështje me të cilat duhet të merret ekzekutivi i komunës së Podujevës.
Auditimi ishte kryesisht i fokusuar në: “Pasqyrat Vjetore Financiare përfshirë kërkesat për raportim dhe rreziqet sinjifikante të auditimit, Reagimi ndaj rekomandimeve të vitit paraprak dhe atyre të viteve të kaluara, çështjet e qeverisjes e në vecanti menaxhimi financiar dhe kontrolli.
Konkluzioni i përgjithshëm i raportit tw auditorit është se: Sistemi i kontrollit të brendshëm, i vendosur nga komuna, funksionon në mënyrë efektive në disa fusha por ende kanë mbetur dobësi në disa fusha të rëndësishme të qeverisjes.
Konkluzioni jonë i përgjithshëm lidhur me PVF-të (Pasqyrat Vjetore Financiare) është se janë identifikuar disa gabime tek shpalosjet në kode ekonomike dhe tek pasuritë, ndërsa sa i përket kërkesave të raportimit, ato ishin plotësuar./Llapi.info