Partia në pushtet, LDK ka pezulluar në seancën e Kuvendit të Podujevës, propozim-rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, raporton Llapi.info.
Edhe pse kjo rregullore që do të duhej të miratohej para dy vjetësh, kur i kishte përfunduar të gjitha procedurat, tashmë do të vonohet sërish pas pezullimit.
Krejt kjo erdhi pas siç kanë thënë komunarët për shkak të situatës me COVID-19, për të cilën rregullore do të duhet të mbaheshin debate publike me qytetarë. Se kur pritet të mbahen këto debate për t’i hapur rrugë miratimit të rregullores, Llapi.info nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët komunalë.
Në anën tjetër, të heshtur s’kanë qëndruar opozita dhe shoqëria civile në këtë komunë. Drejtori i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari ka akuzuar Komunën e Podujevës për bllokimin e kësaj rregulloreje, me të cilët kryetarët e fshatrave do të zgjidheshin në mënyrën e duhur.
“Kur është interes i qytetarëve është pandemi, kur është interes i LDK s’ka pandemi. Komuna e Podujevës ne seancën e parafundit bllokoi rregulloren për Organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane me arsyetimin se s’mund të mbahen debatet publike për shkak të pandemisë. Por, arsyeja e vërtet qëndron diku tjetër, te fakti se në këshillat e fshatrave i ka të emëruar politikë nga LDK dhe i kontrollon si të donë, si pyesin bash për asgjë as nuk i llogarisin vetë si përfaqësues, e as nuk i njeh komuniteti si përfaqësues sepse nuk përfaqësojnë asgjë”, ka thënë Jashari për Llapi.info.
Sipas Jasharit, Komuna e Podujevës po i mbanë tubimet tjera, ndërkohë që siç ka deklaruar ai, vetëm për këto debate ekziston pandemia e koronavirusit.
“Zyrtarët e pushtetit komunalë po iu frikësohen zgjedhjeve të këtyre këshillave, pasi e din se qytetarët nuk mund t’i kontrollojnë, prandaj edhe po i mbajnë peng me arsyetim pandeminë “Covid19”. Derisa për projekte ku iu konvenon politikisht mbahen debate publike pa problem nga të njëjtit pandemia s’është problem. Kemi pasur disa raste të tilla këto dy javët e fundit, pasi e refuzuan rregulloren me arsyetim se s’mund të mbahen debate publike”, thotë ai.
“Me këto sjellje, Rudari si kandidat për kryetar komune nuk e meriton qeverisjen në Podujevë. Ngase këtu ka vetëm një qëllim duan t’i mbajnë qytetarët të pa organizuar dhe të menaxhojnë buxhetin si të duan vetë siç kanë bërë gjithnjë. Dhe, unë mendoj se kjo ka vetëm një shpjegim, ose nuk i kontrollon dot drejtorët e vetë Rudari sepse janë të emëruar nga Agim Veliu dhe atij i raportojnë. Prandaj edhe s’mund të iu kërkoj llogari, ose mënyra e menaxhimit të tij është kjo e mbyllur dhe zero (0) transparencë jashtë çdo standardi të demokracisë moderne. Ne të dyja rastet është gabim në raport me qytetarët”, vlerëson ai.
Ndërkaq, kryetari i VV-së dhe këshilltari komunal nga ky subjekt politik, Bajram Ajeti ka thënë se LDK-ja në këtë komunë që 20 vjet, sipas tij, i ka emëruar në mënyrë jo të rregull kryetarët e fshatrave.
“Pas më shumë se dy vite, duke insistuar disa herë në seancat lidhur me nevojën që të sillet në Kuvend, por edhe duke kërkuar se përse nuk po sillet, më në fund në seancën e datës 09.09.2020 u soll në Kuvend, propozim Rregullorja e plotësuar dhe ndryshuar, por pa dhënë arsyet se pse u vonua nxjerrja e Rregullores që nga viti 2018. Gjithë kjo ngecje është e qëllimshme, sepse përfaqësuesit e fshatrave, lagjeve dhe vendbanimeve LDK-ja qe 20 vjet i ka emëruar në mënyrë arbitrare dhe prej vitit 2008 edhe në mënyrë të kundërligjshme, duke emëruar persona partiak dhe të cilët detyrë mbi detyrat kanë patur të sigurojnë votat dhe jo t’i shërbejnë komunitetit në kuadër të kompetencave vetanake. Kështu që janë diskriminuar qytetarët në bazë partiake”, thotë për Llapi.info Bajram Ajeti, këshilltar i VV-së.
“Vonesa për nxjerrjen e kësaj rregulloreje po bëhet me qëllim, sepse ka ndryshuar qëndrimi i qytetarëve ndaj kësaj administrate, përpiqen të shtyjnë sa të munden, me që janë zgjedhjet për kryetar komune dhe është vit elektoral. Të gjithë të emëruarit si përfaqësues të fshatrave, lagjeve urbane janë të emëruar në mënyrë arbitrare dhe kundërligjshëm, sepse nuk janë të zgjedhur nga qytetarët në bazë të procedurave dhe ligjit. Dhe personave të politikës iu është dhënë edhe udhëheqës partie (nëndege) edhe kryetar fshati apo lagje urbane”, thotë tutje ai.
Të njëjtin mendim e ka edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Fatmir Rudari. Ky i fundit për Llapi.info ka shtuar se komuna po vazhdon t’i mbajë debatet tjera publike, ndërkohë që sipas tij, po bllokohet ajo për zgjedhjen e përfaqësuesve të fshatrave.
“Rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës, kishe ardhur në kuvend me dt. 09 shtator 2020, e cila pasi të kalon në kuvend duhet të organizohet debat publik me qytetarë, mirëpo ekzekutivi u arsyetua që për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, nuk munden që të organizojnë̈ debat publik me qytetarë. Por kjo nuk ndodhë kur këto debate i organizon komuna për qëllimet e saj. Prandaj ky pushtet nuk e ka hallin e qytetarëve por interesin personal, sepse sipas të gjitha gjasave ky pushtet nuk do të mundet më ti zgjedh sikurse deri më tani militantët e familjarët në pozitat e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Podujevës”, thotë̈ Rudari.
Mosmiratimin e saj e ka quajtur kryekëput politik edhe më parë nga shoqëria civile. Ndërkohë, për këtë çështje debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Podujevës, por që u pezullua nga partia që udhëheq me Komunën./Llapi.info