Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës, vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale dhe vendime të tjera në interes të qytetarëve, raporton Llapi.info.
Në po këtë mbledhje është miratuar vendimi që t’u hiqet barra e taksave komunale për operatorët e transportit publik dhe tarracat pranë lokaleve të subjekteve afariste të gastronomisë.
Ky vendim është miratuar unanimisht në Kuvend pas kërkesës së drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Fevzi Jetullahu.
Jetullahu tha se për shkak të gjendjes së krijuar tashmë e një vit, bizneset afariste dhe operatorët e transportit publik, sipas tij, kanë pësuar humbje të mëdha, dhe siç ka thënë ai, janë dëmtuar shumë.
Në po këtë mbledhje, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, prezantoi Propozim Rregullorën e punës së Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit të Podujevës “Avdush Hasani”, e cila u miratua nga Kuvendi.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, prezantoi propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare – për subvencionimin e bashkëfinancimit të ndërtimit të shtëpive të banimit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe të banimit në Komunën e Podujevës, me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Drejtori Veliu tha se Komuna e Podujevës në marrëveshje me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” do të participojë me nga 5,000 euro në ndërtimin e secilës shtëpi, që në total për ndërtimin e 10 shtëpive shuma e participimit do të jetë 50,000 euro.
Pas diskutimeve Kuvendi miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare – për subvencionimin e bashkëfinancimit të ndërtimit të shtëpive të banimit për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe të banimit në Komunën e Podujevës, me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”./Llapi.info
Këto vendime u miratuan sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës