Për nderë të ditës së Pavarësisë, sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës është mbajtur seancë solemne, njofton Llapi.info.
Në këtë seancë, përveç anëtarëve të ekzekutivit dhe këshilltarëve komunale, morën pjesë edhe familje të dëshmorëve dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.
Në një fjalim rasti, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se në këtë përvjetor përulemi para gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
“Më 17 shkurt 2008, Kosova realizoi aspiratën e saj shekullore – shpalljen shtet i pavarur dhe sovran, që padyshim është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës. Në këtë përvjetor, ne përulemi me respektin e përjetshëm, para të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, që bënë sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e atdheut tonë të shtrenjtë. Këtë 17 shkurt, e në çdo 17 shkurt tjetër, përulemi para atyre që bënë luftën tonë të lavdishme, para të gjithë heronjve dhe martirëve, për flijimin e tyre biblik, për frymën e lirisë e të paqes që sollën në Kosovën tonë. Me këtë rast dua t’i falënderoj edhe deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, të cilët me aktin e tyre janë bërë pjesë e përjetësisë së Kosovës”, ka thënë ai.
“Ne që kemi jetuar për dekada të tëra në robëri, e dimë sa e shtrenjtë është liria. Prandaj do të bëjmë çmos të punojmë që secili qytetar i vendit tonë të gëzojë maksimumin e lirive individuale në çdo fushë. Vetëm Kosova e pavarur dhe e barabartë për të gjithë është jetësim i përpjekjeve të brezave që u sakrifikuan për liri. Do të punojmë për një shtet ku sundon rendi e ligji dhe ku vepron demokracia, për të siguruar shtet të së drejtës, në të cilin secili qytetar do të ndjehet njësoj i rëndësishëm dhe i çmuar. Bashkarisht do të kontribuojmë në ndërtimin e institucioneve funksionale në Kosovën tonë demokratike. Do të ruajmë dhe avansojmë partneritetin me aleatët ndërkombëtarë, veçmas me SHBA-të dhe BE-në, për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë i pari i Podujevës./Llapi.info