Ani pse drejtori i transportit në Podujevë, Ramadan Zymberi ka pranuar se çdo vit ndahen mbi 20.000 euro për rregullimin e shenjave të komunikacionit, pothuajse në cdo rrugë të Podujevës shihen shenjat e dëmtuara të cilat nuk po i riparon komuna.
Megjithatë Zymberi nuk është pajtuar me këtë fakt duke thënë se Podujeva i ka të rregulluara mjaftë mirë shenjat e komunikacionit në rrugët e qytetit raporton Llapi.info.
“Komuna e Podujevës në rrugët e qytetit e ka të rregulluar mjaftë mirë sinjalizimin horizontal dhe vertikal, vend kalimet e këmbësorëve, kufizimin e shpejtësisë, përparësinë e kalimit, rrugë me një drejtimesh etj.” tha ai.
Mirëpo qytetarët të shumtë kanë dërguar foto në adresën elektronike dhe e kanë demantuar atë duke u ankuar se as komuna e as policia nuk po i rregullon këto shenja pavarësisht se i kanë lajmëruar ata.
Në foton më poshtë shihet shenja sinjalizuese e komunikacionit, në rrugën “Bedri Bajrami” rrugës për tek Pishat, e cila është e dëmtuar dhe sipas qytetarit M.L i cili na e ka dërguar foton, në këtë gjendje është që tre muaj.
Por lidhur me këtë, drejtori i transportit Ramadan Zymberi i cili duhet të inspektoi në teren, nuk ka njohuri.
“Ne nuk kemi informacione për këtë, unë informacionin e parë po e marr nga ju. Ne i shikojmë në teren edhe shenjat e sinjalizimit e kanë edhe policia që merren me këto, në rast se lajmërohet një shenjë e komunikacionit që është dëmtuar nga njerëzit, aksidentet në komunikacion ne menjëherë shkojmë i marrim dhe kemi vendin ku i vendosim deri sa të vendoset shenja e re”, ka thënë Zymberi.
Por, edhe në rrugën “Liria”, që është rruga një kahje, shenja që tregon se është rrugë me përparësi kalimi, është e dëmtuar plotësisht.
Foto
Mbi të gjitha, mos vendosja e këtyre shenjave po paraqet rrezik për fëmijët e shkollës “Enver Maloku” në Podujevë.
Në afërsi të vendkalimit për këmbësorë mungon shenja e komunikacionit që tregon se është vendkalim për këmbësorë dhe që në afërsi është shkolla.
Podujeva po përballet me këtë dukuri jo të mirë për qytetarët e këtij qyteti. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm lidhur me këtë pasi që nga mungesa e këtyre shenjave të komunikacionit, mund të ketë aksidente fatale. /Llapi.info