Me 20 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim është miratuar raporti financiar i komunës së Podujevës për periudhën janar – qershor 2015.

Në mbledhjen e mbajtur dje në kuvendin komunal të Podujevës, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa,
Isuf Latifi, ka bërë të ditur se shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumën prej 7,126,403 euro, duke treguar se ka pasur rritje të shpenzimeve për 1.34%.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumën prej 7,126,403 euro. Për paga janë shpenzuar 5,579,006 euro, për mallra dhe shërbime 424,524 euro , shpenzimet komunale 155,286 euro, subvencione 268,778 euro dhe investime kapitale 698,809 euro. Këto shpenzime janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhë. Nëse e bëjmë një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, vërejmë se kemi rritje të shpenzimeve për 1.34%”, ka thënë Latifi.

Ndërsa, asambleistët opozitar paraqiten shkelje dhe keqpërdorime të bëra nga ekzekutivi i komunës.

Flakron Gashi, këshilltar nga rradhët e PDK-së, ka thënë se ky raport paraqet një gjendje jo të mirë të qeverisjes, në të cilin vërehen shumë keqpërdorime dhe shkelje.

“Ju të nderuar në këtë raport keni deklaruar shpenzime në vlerë prej 13,354 për mëditje, akomodime, udhëtime dhe shpenzime të tjera jashtë vendi, ndërsa në realitet janë shpenzuar plotë 23,644 apo për 56.47% më i lartë se ajo që ju e keni deklaruar”, ka thënë Gashi.

“Komuna ka paguar në emër te pastrimit të rrugëve KRM “Pastrimi” shumën prej 2677.71€ në periudhën kohore të dimrit ku temperaturat ishin deri -17 dhe nuk e di si pastrohen rrugët me ujë në këtë kohë. Me siguri keni dëshiru ta shëndrroni në qendër patinazhi!”, ka shtuar Gashi.

Ai po ashtu ka përmendur edhe faktin që komuna e Podujevës ka paguar 2.227 euro për vrasjen e qenëve endacak, Shoqatës së Gjuetarëve “Llapi”, shumë kjo e paguar për vrasjen e 131 qenëve, e që sipas Gashit janë vrarë vetëm 8 osë 9 qenë.

Të pakënaqur me raportin financiar për periudhën janar – qershor 2015, ishin edhe asambleistët e Vetëvendosjes.

Bahri Selimi, asamblesit nga rradhët e VV-së, tha se kemi të bëjmë me probleme të njëjta në raportin financiar, duke përmendur shpenzimet e mëdha për mëditje dhe udhëtimet jashtë vendit. Ai pyeti drejtoritë përkatëse se sa ka arritur komuna e Podujevës të sjell investime apo donacione nga jashtë, duke shturar dilemën që këto udhëtime janë bërë vetëm për interesa partiake.

Ndërsa, të kënaqur me këtë raport ishin asambleistët e LDK-së, të cilët raportin financiar e quajtën raport pozitiv që tregon punën e madhe të ekzekutivit të komunës./Llapi.info