Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria e Arsimit, Komuna e Podujevës ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, me ç’rast me mirënjohje janë nderuar veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar, njofton Llapi.info.

Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë është mbajtur një manifestim, i organizuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Podujevës, ku përveç mësimdhënësve, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu dhe mysafirët Dr. Hakif Bajrami –historian, Avni Dehari – veprimtar dhe kandidat për deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari Bulliqi, duke uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, foli për zhvillimin e shkollës shqipe nëpër dekada dhe sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit.

“Shtatë Marsi është dita më e shënuar për arsimin shqip. Është dita e udhërrëfyesve të gjeneratave të ardhshme. Në shënim të kësaj dite kujtojmë sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë”, tha kryetari Bulliqi.

Me këtë rast kryetari Bulliqi tha se e kemi për obligim, që sa herë mblidhemi për të shënuar përvjetor, si ky i Ditës së Mësuesit, të kujtojmë mësimdhënësit që me punën, guximin dhe vetësakrificën e tyre që lanë gjurmë e bënë histori në arsimin shqip në Kosovë.

“Ne të gjithë, jemi falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve ndër dekada dhe njëkohësisht obligohemi që të angazhohemi fuqishëm në avancimin e kushteve dhe cilësisë në arsimin lokal”, tha kryetari Bulliqi.

“Ne, si qeverisje lokale do të bëjmë gjithë të mundurën që të përmirësojmë kushtet për punë dhe mësim, duke përmirësuar infrastrukturën aktuale shkollore, por edhe duke ndërtuar shkolla të reja”, tha kryetari Bulliqi.

Me këtë rast kryetari Bulliqi, historiani Hakif Bajrami dhe veprimtari dhe kandidati për deputet Avni Dehari kanë ndarë mirënjohjet për veteranët e arsimit, të pensionuar gjatë këtij viti shkollor.

Ndërsa, mirënjohjet për mësimdhënësit e dalluar i ndanë drejtori i Arsimit, Avni Fetahu dhe drejtoresha e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci.

Me mirënjohje post mortum janë nderuar mësimdhënësit që janë ndarë nga jeta gjatë këtij viti shkollor. Mirënjohjet, për familjet e tyre i ndau nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu./Llapi.info