5 mijë euro është vlera e përafërt e kontratës për pastrimin e veturave të Komunës së Podujevës brenda një viti. Kontrata është nënshkruar sot mes Departamentit të Prokurimit në Komunën e Podujevës dhe Autolarjes “Ilir Stublla”.
Nazmi Elezi, Shef i Zyrës së Informimit në Komunën e Podujevës, ka bërë të ditur për llapi.info se numri i veturave që do të pastrohen sipas nevojës për një vit është afër 50 vetura.
“Janë afër 50 vetura që do të pastrohen. Në këtë numër të veturave bëjnë pjesë: veturat e Shëndetësisë, Shërbimit të Zjarrfikësve, Qendrës për Punë Sociale dhe afër 24 vetura të komunës. Pastrimi i këtyre veturave do të bëhet sipas nevojës”, ka thënë Elezi.
Ai ka treguar se vlera prej 5 mijë eurosh është vlerë e përafërt e kontratës, vlerë kjo që sipas tij, mund edhe të mos shpenzohet.
“5 mijë është vlera e përafërt e kontratës, por zakonisht deri në 3 mijë euro më së shumti shpenzohen brenda vitit. Është vënë kjo vlerë për shkak se nuk dihen kushtet atmosferike çfare do të jenë dhe nuk dihet sa do të jetë nevoja për pastrimin e veturave”, ka thënë Elezi.
Ai ka treguar se vitin e kaluar Komuna e Podujevës për pastrimin e veturave ka shpenzuar rreth 2700 euro.
Çmimi për njësi për pastrimin e veturës sipas kontratës që është nënshkruar sot është 2.30€, 1.30€ dhe 1.00€.