Në Komunën e Podujevës janë të shqetësuar me faktin se nuk po respektohen rekomandimet e IKSHPK-së rreth pjesëmarrjes në ceremoni mortore, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, Komuna e Podujevës ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat e IKSHPK-së.
“Shqetësues u përmend fakti i mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHP-së rreth pjesëmarrjes në ceremoni mortore, ku ditëve të fundit janë regjistruar raste të pranisë së një numri më të madh personash në ceremoni të varrimit. Prandaj edhe me këtë rast apelohet te qytetarët që ceremonitë mortore të organizohen vetëm në praninë e personave të rrethit të ngushtë familjar, si dhe mos të organizohen pritje për ngushëllime”, ka bërë të ditur Komuna e Podujevës përmes një njoftimi për medie.
Sipas kumtesës, administrata komunale nga dita e martë do të rifillojë punën me orar të plotë.
Po ashtu, gjatë takimit të Shtabit Emergjent të Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 të hënën, është thënë se në komunë të Podujevës gjithsej janë nëntë të infektuar e jo 11, siç figuron në statistika IKSHPK-së./Llapi.info