Disa nxënës të shkollave të mesme në Komunën e Podujevës janë konsumues të marihuanës, raporton llapi.info. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Llapi.info ka arritur të bisedoj me disa prej përdoruesve të marihuanës që janë nxënës të tri shkollave të mesme të Podujevës, të cilët pranuan të flasin me kushte anonimiteti, duke treguar arsyet që ata i shtyri të përdornin këtë substancë narkotike dhe vendet ku ata e përdorin.

SAMSUNG CSC

“Ajo që më ka shtyr me pi këtë bar kanë qenë problemet në familje dhe rruga. Shoqnia ka qenë shkaku i parë që e kom pi. Mbrapa shkollës, nepër shpia të këqija, janë vendet ku e pimë. Podujeva furnizohet nga Shqipëria”, ka thënë ai.

“Nuk e kam pas babën. Mërzia për babë dhe ndarja nga femra qe dy vjet që nuk kam mujt me harru edhe kam than nashta muj e harroj me qita. Por kur e kom pi veq e kom dasht edhe ma shumë. Tani m’ka met, nuk mujsha me nejt pa ta. Ni pare që e kisha menihere e kom ble. Kta ni shok e blejke prej ni shoku tjetër n’Prishtinë. 40 deri 50 euro ai e ka ble një tegull. Ka pi prej qasaj tegulle edhe tani e shitke 200 ose 300 euro. Edhe prej Prishtine vishin e blejshin te qaj. Ai tash u dal jasht vendit. 5 persona prej klase e kemi pi. Unë jom kanë sebep që edhe katër të tjerë e pinë tash”, ka treguar një nxënës tjetër.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës ka treguar për llapi.info se në periudhën e vitit 2014 dhe gjashtëmujorit të vitit 2015 në Komunën e Podujevës janë regjistruar pesë raste me pesë persona të dyshuar të cilët janë deklaruar se janë nxënës të shkollës së mesme. Rastet jane proceduar ne Prokurori dhe substanca e cila është gjetur te ata ka qenë marihuanë.

Sipas policisë, nuk është lajmëruar dhe regjistruar asnje rast i përdorimit të drogave në shkolla dhe brenda rrethojave të tyre.

Ndërsa, Fehmi Zeqiri, drejtor i SH.M.E. “Isa Boletini”, ka thënë se në mënyrë zyrtare ende nuk kemi identifikuar ndonjë rast ku droga është përdorur mbrenda shkollës, por nuk përjashtohet mundësia që shkolla të mos jetë e frekuentuar nga elemente të tilla për shkak të pozitës gjeografike të shkollës.

Ai ka shtuar se sikur të kishte identifikur ndonjë rast do të merrej me të sipas masave ligjore dhe nuk do të i lejonte hapësirë të qëndronin brenda shkollës.

Por, Zeqiri ka treguar se në banjot e shkollës të cilat nuk janë të monitoruara me kamera, janë gjetur mbeturina të duhanit.

Se nuk janë identifikuar raste të përdorimit të drogave mbrenda objekteve shkollore ka thënë edhe drejtori i
Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Nuk mund të them që s’kemi probleme në shkolla. Por, probleme të tilla ku nxënësit përdorin droga brenda objekteve shkollore nuk janë raportuar ende as nga drejtoritë e shkollave as nga policia”, ka thënë Rudari.

Ai ka treguar se çdo vit në shkolla organizohen fushata sensibilizuese për pasojat e përdorimit të substancave narkotike./Llapi.info

4579214