Një grup i qytetarëve të Podujevës ka penguar sot punëtorët e KEDS- it që ta vazhdojnë shtrirjen e rrjetit të ri në këtë komunë, njofton KEDS-i përmes një komunikate për media ku ka bërë e ditur se policia është njoftuar dhe po merret me këtë rast, transmeton Llapi.info.
“Humbjet e energjisë elektrike në këtë pjesë janë rreth 80 për qind, që mund të jetë edhe arsyeja pse po ndalohet KEDS- i të investojë. Gjithashtu, aty janë të kyçur disa konsumatorë edhe në mënyrë ilegale, pra direkt në rrjet pa njehsor fare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KEDS- it.
Sipas KEDS- it kjo situatë është e papranueshme, pasi që veprime të tilla, shkaktojnë vonesa të panevojshme, nga të cilët pësojnë qytetarët e përgjegjshëm. Sipas tyre, projekte të tilla bëhen me qëllim të ofrimit të shërbimeve kualitative për konsumatorë.
“KEDS është i vendosur ta kryej misionin e vet dhe nuk do të ndalet në realizimin e tij, që është të ofrojë shërbime sa më kualitative për të gjithë qytetarët pa dallim. Në kryerjen e këtij misioni, presim ndi hmën edhe të strukturave komunale, sikurse organeve të rendit dhe drejtësisë”, thuhet në fund të komunikatës./Llapi.info