Klinika Infektive vazhdon të mos ketë asnjë pacient me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Që nga 20 prilli, në këtë komunë s’është konfirmuar asnjë rast i ri me virusin korona.
Kurse, gabime dyshohet se janë bërë gjatë testimit më 27 mars të dy personave nga Komuna e Podujevës, që u raportua se ishin infektuar me COVID-19. Të njëjtit u janë nënshtruar testimeve, por që kanë rezultuar negativë.
Deri më tani, në Komunën e Podujevës ishin 9 persona të prekur nga kjo pandemi. Edhe për epidemiologen Bedrie Rama ky numër nuk ka ndryshuar, pasi sipas saj, dy personat e fundit nuk kanë qenë fare të prekur me COVID-19 dhe ata nuk mund të përfshihen në statistikat e të infektuarve.
Epidemiologia e QKMF-së e pati konfirmuar për Llapi.info se katër personat që kanë rezultuar pozitivë më 20 prill janë testuar javën e kaluar dhe pas rezultateve negative janë shpallur të shëruar.
Nga 9 pacientët llapjanë të konfirmuar me koronavirus, 8 prej tyre tashmë janë shpallur të shëruar, ndërsa një i moshuar ka ndërruar jetë, i cili ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Në anën tjetër, sot janë konfirmuar edhe 24 raste të reja në Kosovë, duke çuar kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 919. Prej tyre, 671 janë shëruar, ndërsa 29 persona kanë ndërruar jetë.
Të gjithë personat e vdekur, sipas Klinikës Infektive, kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Duhet potencuar se sot Komiteti për Menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka mbajtur mbledhje, në të cilën janë analizuar masat kundër përhapjes së pandemisë. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se nëse vazhdon të bie disiplina e qytetarëve atëherë mund të ketë shtyrje e hapjes së dytë të apo lehtësimit të masave./Llapi.info