Persona të panjohur deri tani kanë larguar shenjat treguese të dy emërtimeve të rrugës “Xheladin Rekaliu” dhe “Ramadan Salihu” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Largimi i këtyre dy shenjave ka ardhur si pasojë e pakënaqësive të banorëve për emërtimin e rrugës “Ramadan Salihu” e cila më parë ishte e njohur si “Rruga e Xhamisë”.
Por sipas komunës së Podujevës emërtimit të këtyre rrugëve i kanë paraprirë propozimet e qytetarëve në dëgjime publike të mbajtura në fshatra dhe qytete.
”Emërtimi i rrugëve është bërë me Vendimin e Kuvendit të Komunës, nr.01-006-16432 të datës 4 shkurt 2015. Këtij vendimi i kanë paraprirë propozimet e qytetarëve të paraqitura në debatet e organizuara në fshatra dhe qytet. Pas debateve të organizuara në teren propozimin final e ka bërë Komisioni për emërtimin e rrugëve, komision ky i ngritur nga Kuvendi i Komunës, në përbërjen e të cilit kanë qenë ekspertë të fushave dhe anëtarë nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.”, thuhet në përgjigjien e komunës.
Por qytetarët në rrjetin social në Facebook, kanë thënë se emërtimin e kësaj rruge e ka bërë një zyrtarë komunal, babai i të cilit është “Ramadan Salihu”.
Ndërsa për largimin e shenjës me emrin e “Xheladin Rekaliu” i cili njihet si veprimtar i shquar i çështjes kombëtare pakënaqësi kanë shprehur qytetarët të shumtë të cilët këtë akt e kanë quajtur qyqar. Kjo pasi që sipas tyre nuk duhet të nënçmohen veprimtarët e kombit.
“zemra më ka dhimbtë kur e kam pa emrin e Xheladinit te shkallavitur ndërsa pas pak ditësh që e kan hjek nga aty”, ka thënë një qytetarë i moshuar i cili ka shtuar se akte të tilla nuk duhet vepruar.
Ani pse në dëgjim publik janë propozuar emrat e rrugëve, komuna ka njoftuar se qytetarët kanë paraqitur disa kërkesa për ndryshim të tyre.
Por pas përfundimit të këtij procesi, përgjegjësia bie mbi Kuvendin e Komunës e cila duhet të formojë një komision për shqyrtimin ose ndryshimin e ndonjë emri të rrugëve ka njoftuar zyra për informim në komunën e Podujevës.
“Pas përfundimit të procesit të vendosjes së tabelave me emërtimin e rrugëve, mbetet në kompetencë të Kuvendit të Komunës të formojë një komision për shqyrtimin e tyre dhe eventualisht ndryshimin e ndonjë emri të rrugëve”, thuhet në përgjigjien e komunës.
Megjithëkëtë, komuna e Podujevës ka dënuar aktet e tilla të dëmtimit të tabelave me emra të rrugëve dhe i ka bërë thirrje Policisë të Kosovës t’i zbardhë rastet ku dëmtohen shenjat informuese./Llapi.info/