Radhë të gjata për të blerë miell janë parë edhe në orët e vona të natës së sotme në fshatin Sekiraçë të Podujevës, njofton Llapi.info.
Këto radhë të gjata të krijuara edhe në kolona, vijnë pas paraqitjes së rasteve me COVID -19.
Qytetarët janë aktivizuar për t’u furnizuar me ushqime esenciale, e sidomos për miell.
Kolona të disa ditshme ka pasur në mullirin e fshatit Sekiraçë, përgjatë magjistrales Podujevë – Prishtinë. Në pamjet të cilat lexuesit i kanë dërguar në Llapi.info, shihet radha që është krijuar edhe sonte.
Ndërkohë, qeveritarët kanë bërë thirrje që të mos krijohet panik, derisa kanë deklaruar se ka miell të mjaftueshëm,
“Jemi në kontakt me furnizuesit e rezervave shtetërore. Situata është nën kontroll, nuk duhet të jemi në një situatë që të kemi panik. Dua të ju konfirmoj qytetarëve që rezervat shtetërore janë të ruajtura si gruri, nafta dhe barërat” , ka deklaruar ministrja e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.
Përveç krerëve shtetërorë, edhe kryetari i shoqatës së mullisëve të Kosovës Muhamet Selmani, ka thënë se qytetarët nuk duhet të bëjnë panik, pasi Kosova është e furnizuar mjaftueshëm me miell./Llapi.info