Në Podujevë janë konfirmuar edhe katër raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 3 raste janë në qytet, kurse një në fshatin Bradash.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se sot është regjistruar edhe një rast me fatalitet, i cili sipas saj, përveç se ka qenë i prekur me COVID-19, ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Numri total i të vdekurve me COVID-19 në Podujevë ka arritur në 11.

Më tej, Rama ka theksuar se aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë edhe 163 persona. Krahas rasteve të reja, sot janë shpallur të shëruar edhe 11 pacientë llapjanë, duke çuar në total numrin e tyre në rreth 280.

Ndërkaq, edhe 29 qytetarë që kanë bërë testin gjatë këtyre ditëve janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja.

Rasti i parë në këtë komunë ishte paraqitur më 15 mars. Që nga atëherë, në këtë komunë pozitivë kanë rezultuar rreth 500 persona, kurse janë testuar mbi 1 mijë qytetarë.

Për shkak të rritjes së numri të të infektuarve, që nga 28 korriku në Podujevë është rikthyer “ora policore”. Policia e Podujevës ka shqiptuar rreth 600 fletëparaqitje për qytetarët që s’i kanë respektuar masat anti-covid.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të mërkurën se ka licencuar laboratorin “Bio Hem” në Podujevë për kryerjen e testeve serologjike për koronavirusin e ri.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK ) ka njoftuar se gjatë 24 orëve ka testuar 451 mostra dhe si rezultat 145 persona kanë dalë të infektuar me virusin korona.

Përgjatë 24 orëve, me këtë virus kanë vdekur nëntë persona, duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 390.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të mërkurën janë regjistruar edhe 144 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3.924.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 11,275 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi./Llapi.info