Ka nisur të stabilizohet gjendja me virusin korona në Komunën e Podujevës, gjersa numri i rasteve ditore dhe i atyre aktive është në rënie e sipër, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të dielën pozitivë për koronavirus kanë rezultuar nëntë banorë të kësaj Komune. Prej tyre, 6 janë në qytet dhe nga një rast në fshatrat; Dobërdol, Metehi dhe Sfeçël.
Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, krahasuar me javët që lamë pas.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.
“Nga IKSHPK sot jemi lajmëruar edhe për 9 raste të reja me COVID-19 në Podujevë. Aktualisht i kemi 174 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.
Epidemiologia Rama ka thënë se edhe 65 qytetarë llapjanë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi sot se janë shënuar edhe 97 raste të reja me sëmundjen, COVID-19. Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 2.112 mostrave. Në 24 orët e fundit, sëmundjen COVID-19 e kanë mposhtur 291 pacientë.
Që prej 13 marsit, 2020, deri më 9 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 106.442 raste me COVID-19, 2.208 viktima dhe 97.675 të shëruar. Raste aktive, sipas IKSHPK-së, vazhdojnë të jenë edhe 6.559./Llapi.info