35 persona janë testuar sot për COVID-19 në Podujevë, të gjithë këta kanë dalë negativë, raporton Llapi.info.
Nga 35 persona, 13 prej tyre kanë qenë punëtorë shëndetësorë të QKMF-së në Podujevë. Kështu ka deklaruar për Llapi.info epidemiologia Bedrie Rama.
“Po, sot janë testuar gjithsej 35 persona. Prej tyre, 13 kanë qenë punëtorë shëndetësorë në QKMF-në e Podujevës, 5 punëtorë të Institutit Shëndetësor Privat dhe 17 kanë qenë familjarë – raste kontakti. Të gjithë këta kanë dalë negativë. Ne i kemi identifikuar aq sa kemi mujt dhe kemi hyrë në rrethin e ngushtë për testim të familjarëve si raste kontakti, tash mundemi të hulumtojmë edhe diçka më tepër, mirëpo tani ky është një lajm i gëzueshëm që kanë dalë të gjithë negativë”, ka thënë Rama.
Komuna e Podujevës numëron gjithsejtë 9 të infektuar me COVID-19, ku njëri nga ta, sipas IKSHPK-së, tashmë ka ndërruar jetë.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 703 persona janë të infektuar me koronavirus.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill./Llapi.info