Nën organizimin nga Klubi Letrar ‘Zahir Pajaziti’, në Podujevë, u mbajt Akademia Përkujtimore në Nderim të Bazës së Parë të UÇK-së, kushtuar dëshmorëve të kombit Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës, raporton Llapi.info
Të pranishëm në këtë organizim në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” ishin familjarë të dëshmorëve, shoqatat e invalidëve të UÇK-së, shoqata Çamëria në Kosovë, Garda e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, veteranë, e shumë qytetarë të tjerë.
Organizatori Rudi Berisha në fjalimin e tij të mbajtur tha se “heronjtë tanë nuk luftuan që populli të varfërohet e të largohet, që siguria të cenohet, e gjithësia të robërohet”.
“Pas çdo bardhësie ka ditë të rënda ditë të kobshme, me 31 janar 1997 në fshatin Pestovë ranë në pritë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu. Luftuan e kurrë nuk u dorëzuan, pas shumë luftimeve ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës e për bashkim të Shqipërisë. Zahiri, Edmondi e Hakifi nuk ranë dëshmorë që populli të varfërohet, ata luftuan që të ngritët flamuri Kuq e Zi e jo të ndërrohet. Luftuan që populli të mos ndahet por të jenë të bashkuar” tha mes tjerash Berisha.
Ndërsa, profesori Sadri Rexhepi në fjalimin e tij tha se në luftën e gjatë të Kosovës, shqiptarët asnjëherë nuk u ndalën për çlirimin e trojeve shqiptare.
“Në vargun e përpjekjeve për çlirim veç të tjerëve në Llap, më i shquar ishte Zahir Pajaziti, si njëri ndër më udhëheqësit më të mirë jo vec në Llap por edhe në Kosovë. Mirëpo ishte një njeri që nuk kënaqej në vend të huaj, por në atdhe. Udhëhoqi operacione të zhvilluara kundër serbëve në zonën e Llapit, rajonin e Dukagjinit dhe në Vushtrri. Në mbrojtje e territoreve Shqiptare nga policia serbe. Zahiri u vra tradhtisht në Pestovë duke luftuar së bashku me Edmondin e Hakfin, duke mos u dorëzuar as në momentet e fundit të jetës kundër serbëve.” tha Rexhepi.
Kryetari i shoqatës Çamëria në Kosovë, Nexhmi Muçiqi në fjalimin e tij dha një porosi që në vazhdimësi të kultivohen veprat e heronjve.
“Të rikujtosh do të thotë kultivim i të ardhmes, Këta trima e shumë e shumë trima të tjerë që luftuan kundër ardhacakëve ju treguan se këto troje Shqiptarët janë autokton. Armiqtë e dinin mirë se këto troje çdo herë kanë lindur burra patriot e atdhetarë siç janë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahi e Ilir Konushevci. Porosia ime është që në vazhdimësi të i kultivojmë veprat e tyre e nëpërmes tyre edhe çështjen shqiptare deri në realizmin e amanetit të tyre për bashkim kombëtar. Nëse këta do të ishin të gjallë ose po të ringjalleshin çfarë do ju thoshim na këtyre, nuk kam asnjë justifikim se çka do t’ju thoshim.” ka thënë ai.
Ai shtoi se asnjë alternativ nuk kishte me qenë e pranueshme përpos vazhdimit të rrugës për bashkimin e trojeve shqiptare.
Ndërkaq, bashkëveprimtari i Zahir Pajazitit nga stërvitjet e vitit 1991, Daim Hyseni në fjalimin mbajtur tha se është nderë për çdo njeri nga ne që kemi pasur rastin të paktën një herë në jetë ta takojmë.
“Të rreshtohesh dhe të jesh pjesë e një amaneti është obligim i madh, ngase betimi i tij dhe shokëve të tjerë ishte betimi për atdhe. Në pjesën e betimit të Zahirit ishte do të luftojmë për të çliruar dhe për të bashkuar trojet tona .Sot porosia nga amshimi nga Zahiri dhe shokët e tjerë është, ne dëshmorët do të prehemi të qetë në atë ditë kur ndër shqiptarë kufi të mos ketë. Më të nderuarit në mesin do tonë duhet të jetë rinia shqiptare për arsye se ne dhamë betimin lëmë në gjysmë, andaj rini po të doni të nderoni Zahirin dhe bashkëveprimtarët tjerë zotohuni dhe betoheni që të vazhdoni amaneti e tyre” tha Hyseni
Ndërsa në fund të organizimit nga Klubi Letrar “Zahir Pajaziti” u ndanë mirënjohje për kontributet e dhëna në ushtri për çlirimin e trojeve shqiptare./Llapi.info/