Një tjetër rast dhune në familje është regjistruar dje në qytetin e Podujevës, njofton Llapi.info.

Sipas Policisë së Kosovës, një femër është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj.
“Viktima femër K ka informuar se vëllai i saj i dyshuari mashkull K e kishte sulmuar fizikisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thotë Policia.

Sipas PK-së, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë, Policia e Kosovës ka bërë një apel lidhur me rastet e dhunës në familje. Nga muaji janar deri tash janë raportuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje.

“Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe senzibilimit të shoqërisë”, thuhet në apelin e PK-së.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot përmes një videomesazhi të ri në Facebook ka dënuar rritjen e rasteve të dhunës në familje, në kohën e izolimit për shkak të pandemisë.

Ai ka porositur që dhuna në familje duhet të raportohet e institucionet duhet të rrisin reagimin në trajtim të rasteve./Llapi.info