Veturat zyrtare vazhdojnë të jenë në funksion edhe në ditë pushimi, shkruan Llapi.info.

Keqpërdorimet me këto vetura po bëhen në mënyra të ndryshme, ato s’po ndalen së frekuentuara as vikendit.

Teksa njëra prej tyre u vu re në fshatin Brainë, një tjetër është parë edhe në fshatin Kërpimeh. Në fotografitë që lexuesit e Llapi.info i kanë dërguar, shihet automjeti 3Z e mbushur me udhëtarë të cilët nuk dihet se cilit institucion i takojnë.

Ndërkohë, duhet përkujtuar se sipas Raportit Financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 8.8 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike.

Krahasuar me vitin 2017, këto shpenzime janë rritur për 70 mijë euro (rreth 1%) në vitin 2018. Kjo nënkategori përfshin 4% të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Nëse e marrim një mesatare prej 1.13 eurosh për litër të karburanteve i bie që stafi politik dhe publik i qeverisë i kanë shpenzuar rreth 7.8 milionë litra karburante.

Ndryshe, zyrtarët shtetërorë shpeshherë janë kapur me vetura zyrtare duke i keqpërdorur në ditë festash, e po ashtu edhe në ditë vikendi./Llapi.info