Sot janë bërë 22 vjet nga rënia heroike e dëshmorëve llapjanë Bedri Ahmeti, Fatmir Selmani, Ragip Ademi, Hamdi Sejdiu dhe Sabit Rrahimi, raporton Llapi.info.
Ata ranë dëshmorë më 24 mars të vitit 1999 në vijën e parë të frontit, duke luftuar kundër regjimit serb.
Bedri Ahmeti, i njohur si komandant Bedi, mori pjesë në shumë beteja kundër pushtuesve serbë, ndërkohë që betejën më të ashpra i zhvilloi në Llapashticë. Ai ra heroikisht duke luftuar përballë serbëve i vetëm me “sniper”, për t’u goditur më pas nga automatikët në vendin e quajtur “Tabet e Llapashticës”.
Dëshmori i kombit Hamdi Sejdiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në pjesën veriore të Llapit dhe sidomos në mbrojtjen e kufirit me Serbinë. Në betejën e njohur të zhvilluar në kufi në fshatin Tashefc, më 24 mars 1999, rreth orës 15 e 30 minuta, në vendin e quajtur “Kodra e Zeqirit”, luftëtarët shqiptarë ndeshen në afërsi me forcat serbe dhe pas një përleshjeje të ashpër bien në krye të detyrës, Hamdiu dhe Fatmir Selmani. Bashkë me ta ra dëshmor edhe Ragip Ademi.
Sabit Rrahimi, i njohur si komandant Ylli, shef i shërbimit informativ pranë Brigadës 152 “Shaban Shala” ra heroikisht në fshatin Dobërdol derisa ishte në frontin e luftës për të penguar forcat serbe që tentonin të depërtojnë nga Serbia përmes fshatit Dumnicë.
Të gjithë këta ranë dëshmorë në këtë ditë kur forcat e NATO-s filluan bombardimet ndaj caqeve serbe, ku më pas në të gjitha frontet e luftës u zhvilluan beteja të ashpra./Llapi.info