Mësimdhënësit e arsimit fillor të Komunës së Podujevës nuk i kanë të sigurta pagat deri në fund të vitit 2015, shkruan Koha Ditore.

Drejtori i Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, ka thënë, të premten, se këtë e kanë ditur që prej muajit shtator kur e kanë miratuar buxhetin për këtë vit.

Ai nuk ka treguar se sa është shuma e kësaj mungese, por ka kërkuar nga këshilltarët komunalë që të miratojnë propozimvendimin për bartjen e 36 mijë eurove të arsimit të mesëm në atë fillor.

Drejtori i Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, ka paralajmëruar se bartje të tjera do të jenë të detyruar të bëjnë edhe në muajt në vazhdim.

“Në muajin shtator kur e kemi miratuar buxhetin e kemi cekuar atje se do të kemi probleme me pagat në arsimin në përgjithësi. Në këta dy muaj e kemi vënë re një minus në arsimin fillor, ndërsa është bërë një analizë prej drejtorisë përkatëse se në arsimin e mesëm ka një tepricë të mjeteve. Për këtë arsye ne kemi bërë një propozimvendim, që mjetet nga programi i arsimit të mesëm në shumën prej 36 mijë eurosh, që çdo muaj nga 3 mijë, për 12 muaj 36 mijë të barten në arsimin fillor”, ka theksuar Isuf Latifi.

Sipas tij, tepricë për këta dy muaj i kanë edhe 2 mijë euro nga Administrata e Arsimit për shkak të mungesës së stafit në dy muajt e parë të këtij viti.