Polemikat për UÇK’në në Shqipëri, Isa Mustafa i del në mbrojtje Lulëzim Bashës

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa është përfshirë sot në debatin për rolin e kreut të PD-së, Lulzim Bashës gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e UNMIK’ut si dhe akuzat që i njëjti ka punuar për t’u hetuar anëtarë të UCK-së.

Mustafa thotë se Shqipëria i ka dalë në krah Kosovës në kohët më të vështira në rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve.


“Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim. E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më pare”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se Specialen nuk e ka krijuar as Lulëzim Basha e as Sali Berisha mirëpo është votuar në Kuvend të Kosovës.

“Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte. Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike. Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë”, shkroi Mustafa.