Policë civilë të Stacionit në Podujevë ka kohë që janë duke u kujdesur për sigurinë nëpër shkolla. Zyrtarë të institucionit të sigurisë thonë se kanë arritur të kthejnë sigurinë në mësonjëtore nëpërmjet një Plani operativ.

Komandanti Isak Ejupi thotë se kanë ndërmarrë edhe aksione për të parandaluar incidente të mundshme. Nëpërmjet tyre, ka thënë se kanë identifikuar shumë të dyshuar dhe kanë konfiskuar edhe armë zjarri.

“Po e kemi një plan për shkolla me policë civilë. Prej kur kam ardhur unë në Podujevë, pasi e kam identifikuar gjendjen e sigurisë në shkolla, diku pas tre muajsh e kemi ndalë derisa ka pasur proces mësimor aktiv. Edhe ata tre muaj, pasi e kemi shtënë situatën krejtësisht në kontroll, na ka devijuar pak e kemi vërejtur edhe e kemi riaktivizuar planin prapë”, ka thënë Isak Ejupi, për Koha Ditore.

“Kështu që po vazhdojmë ta mbajmë hapur (Planin) ende derisa do të ketë nevojë. Po bëjmë vlerësime në periudha të ndryshme dhe po e shohim që Plani ka efekt pozitiv kështu që po vazhdojmë me mbajt hapur”.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë thotë se nuk dërgojnë policë në çdo shkollë, sepse nuk kanë as personel. Por, sipas tij, aty ku ka nevojë më shumë.