Banorët e fshatit Karaçevë ka disa muaj që kanë shprehur shqetësimet e tyre për prezencën e forcave policore serbe në këtë territor. Ndërsa KFOR-i e konsideron atë pjesë nën juridiksionin e Serbisë dhe lejon prezencën e policisë serbe atje, ndërsa ndalon patrullimin nga Policia e Kosovës.
Që nga viti 2014 banorët e Karaçevës, fshat në brezin kufitare me Serbinë, kanë ngritur shqetësime për patrullimet e policisë serbe në territorin e këtij fshati.
Banorëve të këtij fshati vite më parë u ka rënë në dorë një hartë e KFOR-it, ku paraqitet një rrugë alternative, përmes së cilës Kosova rrezikon të humbasë rreth 20 mijë hektarë tokë, citon televizioni publik Selver Lenjanin, përfaqësues i fshatit. Sipas tij, xhandarmeria serbe futet edhe në rrugët alternative, por edhe në rrugët e fshatit.
KFOR-i bën kontrollimin e pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës, të nënshkruar në vitin 1999, nga KFOR-i dhe ushtria e Serbisë. Mbi këtë parim, pjesa e kontestuar ndërmjet fshatrave Novosellë dhe Karaçevë, sipas kësaj marrëveshjeje, është nën juridiksionin serb. Radio Kosova ka dërguar pyetje në zyrën për informim të KFOR-it, por ata deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Aktualisht në këtë zonë janë tri fshatra në të cilat nuk patrullon Policia e Kosovës për shkak të një vendimi të KFOR-it në vitin 2014.
Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi ka thënë se do të bisedojë me misionin paqeruajtës të KFOR-it për të shtuar patrullimet e përbashkëta në zonën e Karaçevës në kufi me Serbi.
“Do te bisedoj me komandantin e KFOR-it për një zgjidhje. Ka zgjidhje alternative”, tha ai.
Disa herë me radhë banorët e fshatit Karaçevë kanë mbajtur protesta paqësore, duke kërkuar që Policia e Kosovës të patrullojë në këto zona. Shpeshherë ata kanë alarmuar se ndjehen të frikësuar nga patrullimet e xhandarmërisë serbe, të cilat sipas tyre janë të shpeshta në këto fshatra.