Foto ilustrim

Rreth 8 mijë e 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës pritet t’i marrin pagat me rritje. Me miratimin e Ligjit për Paga në Kuvend, ata do të marrin 525 euro për çdo muaj, apo rreth 200 euro më shumë se paga aktuale. Por, se kur do të ndodhë kjo ende nuk dihet. Koordinatori për Zhvillimin e Reformave Shtetërore, Besnik Tahiri i ka thënë Gazetës Express se janë të interesuar që ta shtyjnë këtë çështje përpara sa më shpejtë. Ndërkohë që rritja e pagave të policëve, i kushton buxhetit të shtetit mbi 12 milionë euro për çdo vit, shkruan Gazeta Express.

Policëve kosovarë më në fund do tu rriten pagat. Madje, me Ligjin për Pagat duket se ata do të jenë më të privilegjuarit. Me këtë ligj, rritje të pagës pritet të përfitojnë rreth 8 mijë e 600 policë. Aq është edhe numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, shkruan Express.

Prej 319 euro sa aktualisht është paga e një polici, me miratimin e ligjit në Kuvend, ata do të marrin 525 euro e më shumë, varësisht nga përgjegjësia që ka polici.

E ngritja e pagave të policëve pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon më shumë se 12 milionë euro për secilin vit.

Së paku kështu ka deklaruar Koordinatori për Zhvillimin e Reformave Shtetërore, Besnik Tahiri për Gazetën Express.

Tahiri ka deklaruar se me Ligjin e Pagave, përfituesit kryesor janë policët. Gjersa, deklaron se me këtë ligj do të përfitojnë të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, pa përjashtime.

“Me Ligjin e Pagave, përfituesit kryesor janë sektori i Policisë në numër, dhe po ashtu drejtpërdrejtë në pagë. Në historinë e ngritjes së pagave, për herë të parë policit në Kosovë i ngritët paga bazë prej 319 euro sa i kanë pas në 52o euro e tutje më lart, varësisht nga përgjegjësia që ka, vazhdojnë me shtesat për rrezikshmëri dhe përvojën e punës”, ka thënë Tahiri.

Derisa shprehet i bindur se ky ligj ka adresuar të gjitha kërkesat që kanë pasur policët.

“Me këtë ligj përfitojnë të gjithë pjesëtarët e Policisë, megjithatë ajo që duhet të thuhet, është se kësaj radhe lidershipi i Policisë, pra nivelet që kanë grada më të larta në fokus e kanë pas policin, duke filluar prej policit, policit të lartë e tutje”, tha ai.

Por, se kur saktësisht policët do t’i marrin pagat me rritje, këtë nuk e di as vet Tahiri. Por, thotë se janë duke bërë përpjekje që ta shtyjnë këtë çështje sa më përpara.

“Ligjet kanë shku në pikën e miratimit në Kuvend . Ne kemi pasur para katër ditësh ,që i bie me datën 12 shtator një diskutim me Komisionin parlamentar përgjegjës që t’i dërgojmë këto ligje tutje, në këtë komision parlamentar ku marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive politike jemi dakorduar që të kemi një diskutim ma të gjatë, që ti diskutojmë të gjitha pozicionet në mënyrë që komisioni ta ketë shumë të qartë dhe kuvendarët ta dinë saktë se çfarë efektesh kanë këto”, ka deklaruar Tahiri për Express.

E për çështjen e pagave, përveç Tahirit duket se në Ministritë e tjera nuk kanë njohuri. Në secilën prej Ministrive që janë përgjegjëse për këtë çështje, e kanë kaluar përgjegjësinë tek njëra-tjetra, e askush nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërkohë, në Polici i kanë thënë Gazetës Express se në kuadër të Policisë së Kosovës deri tani janë mbi 8 mijë e 600 punonjës të uniformuar dhe staf civil, të cilët vijnë nga te gjitha rajonet e Kosovës.

Deklarojnë se shumica e tyre janë meshkuj, derisa thonë se pjesëtarët kanë moshë të ndryshme.

E kur janë pyetur nga Gazeta se sa është paga aktuale e një polici, ata nuk kanë pranuar të dhënë detaje.

“Orari i punës dhe paga e tyre janë te përcaktuara sipas gradës apo pozitës se punës qe ushtrojnë. Mosha e tyre është e ndryshme”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Ndërkohë, për moshën e shtyrë të pjesëtarëve të policisë ka pasur shumë diskutime. Madje, Policia e Kosovës, nga njohësit e çështjeve të sigurisë, është konsideruar, si policia më e plakur në Ballkan